Presidenti i vendit Ilir Meta i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, pas rekordit të djeshëm lidhur me rastet e reja si dhe në numrin e viktimave të COVID-19.
Sipas presidentit situata po shkon drejt një katastrofe dhe duhet parandaluar në kohë.
Meta bën thirrje për një rivlerësim tërësor të situatës dhe masave të ndërmarra ndërsa i parashtron edhe 11 pyetje 3 institucioneve: Kryeministrisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Kuvendit.
“Nisur nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrin të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve të cilën kanë humbur jetën, shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues.
Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale e të njëanshme të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë.
Në këto kushte, po bëj publike letrën zyrtare që i kam dërguar ministres së Shëndetësisë, për dijeni Kryeministrit ende në detyrë dhe Kryetarit të Kuvendit.”– shkruan Meta.