Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se vdekjet e përditshme në Europë nga Covid-19, janë rritur me gati 40% krahasuar me javën e kaluar.
Zëdhënësja e OBSH-së Margaret Harris tha për BBC-në se Franca, Spanja, Britania e Madhe, Hollanda dhe Rusia janë vendet ku rastet u rritën me një të tretën.
“Shqetësimi… është që njësitë e kujdesit intensiv në spitale tani kanë filluar të mbushen me njerëz shumë të sëmurë”- paralajmëroi Harris.
Rusia ka raportuar një rekord ditor prej 320 vdekjesh, duke e çuar numrin total të viktimave nga koronavirusi i ri në 26,589.
Ka pasur një rritje të ndjeshme edhe në Itali, me 221 viktima të njoftuara në 24 orët e fundit. Numri i përgjithshëm i viktimave në Austri shkoi mbi 1.000 të martën.
Rusia ka numrin e katërt më të lartë të rasteve me Covid-19 pas SHBA-ve, Indisë dhe Brazilit. Siç shkruan BBC, Rusia regjistroi 16,550 raste të reja të infeksionit vetëm të martën dhe autoritetet tani e kanë bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave të fytyrës në të gjitha vendet e mbushura me njerëz.
Ndërsa infeksionet u rritën në pothuajse 22,000 në 24 orët e fundit në Itali, zyrtarët thanë se testimet gjithashtu ishin rritur. Të hënën në mbrëmje u zhvilluan protesta në të gjithë Italinë kundër një raundi të ri kufizimesh të miratuara nga kryeministri Conte.
Dhe në Belgjikë, mjekëve u është kërkuar që të vazhdojnë të punojnë pavarësisht nëse janë të infektuar, sepse sistemi shëndetësor rrezikon të mbingarkohet.
Çfarë tha OBSH?
Duke folur për BBC-në të martën, Dr.Harris tha: “Në të gjithë rajonin Evropian po shohim një rritje intensive dhe vërtet alarmante të rasteve dhe vdekjeve.”
Ajo tha se rastet ditore të të infektuarve u rritën me një të tretën krahasuar me javën e kaluar, ndërsa vdekjet ditore u rritën me “afër 40%”.
“Megjithë menaxhimin më të mirë të kapacitetit spitalor, spitalet në disa vende po mbushen shpejt”– paralajmëroi ajo.
Harris tha se efektiviteti i kufizimeve të reja të vendosura në një numër vendesh evropiane mund të analizohej vetëm brenda dy javësh për shkak të “vonesës”.
“Ne do të shohim zvogëlimin e rasteve, por jo brenda natës”- tha zëdhënësja e OBSH-së.
E pyetur nëse vala e dytë do të ishte më e keqe se e para, ajo u përgjigj: “Ne do të shohim një lloj kulmi tjetër.”