Vendosni fjalën kyçe....

Politico: Brenda “qelisë” diplomatike së Macron, përplasja e ashpër për territor


PARIS – Në skenën botërore, presidenti francez Emmanuel Macron ka theksuar bashkëpunimin dhe qenien e një personi që mund t’i bëjë gjërat. Por, prapa skenave, zyra që drejton politikën e tij të jashtme akuzohet për një ambient armiqësor dhe jofunksional të punës.

Pallati Elysée ka punësuar këshilltarë të jashtëm për të hetuar punën e zyrës, e njohur si qelia diplomatike, ku dy këshilltarë në ekipin me më pak se një duzinë personash u vendosën në pushime mjekësore të detyruara për një kohë të gjatë gjatë vitit të kaluar.

Zyrtarët dhe diplomatët e intervistuar nga POLITICO folën për një mjedis të rëndë dhe një mentalitet rrethimi brenda qelisë. Ata gjithashtu pretenduan se ‘qelia’ ka minuar herë pas here politikën e jashtme të Macron-it përmes koordinimit të dobët me – ose një qëndrimi armiqësor ndaj pjesëve të tjera të administratës franceze, qeverive të huaja dhe komunitetit diplomatik në Paris.

Akuzat përqendrohen mbi këshilltarin diplomatik të Macron, Emmanuel Bonne dhe zëvendësen e tij, Alice Rufo. Ato variojnë nga abuzimi verbal, breshëria e postave elektronike agresive, goditjet pas shpine dhe përfshirja në lojë e të tjerëve në zyrën e presidentit.

Bonne, një ish-ambasador në Liban dhe Rufo, një nëpunëse civile në karrierë, i mohojnë këto akuza me forcë, thanë zyrtarët e Elysée. Ata nuk pranuan të komentojnë mbi raportin e këtij artikulli, që bazohet në biseda me një duzinë zyrtarësh francezë me njohuri të drejtpërdrejtë të situatës, si dhe diplomatëve të huaj që shërbejnë në Paris.

Elysée urdhëroi hetimin e jashtëm, pasi këshilltari i dytë u vu në pushim mjekësor të pacaktuar në fund të verës.

“U raportuan shenja për ekzistencën e vështirësive të mundshme të lidhura me ngarkesën e punës dhe ne po kërkojmë të kuptojmë origjinën e tyre për të gjetur mënyra për t’u përmirësuar.” – tha një zyrtar i Elysée pasi filloi hetimi.

Firma që zhvillon hetimin ka paraqitur gjetjet paraprake, të cilat nuk janë bërë publike. Një raport përfundimtar pritet të publikohet më vonë, thanë zyrtarët.

Hetimi – të cilin Elysée e quan një ‘auditim’ të qelisë – është një veprim shumë i pazakontë në qeverinë franceze, duke treguar se çështjet shkojnë shumë përtej thashethemeve dhe rivaliteteve të zakonshme në korridoret e pushtetit në të gjithë botën.

Macron thuhet se është në dijeni të tendosjes, sipas katër zyrtarëve që thanë se ata e kishin diskutuar çështjen me të. Dy nga ata zyrtarë thanë se ai po shqyrton nëse do i mbajë Bonne dhe Rufo në krah të tij.

Por një zyrtar i Elysée sugjeroi se dyshja ndjehet e mbrojtur nga marrëdhënia e tyre e ngushtë me presidentin.

“Bonne dhe Rufo ndihen sikur kanë licencë për të talluar e ngacmuar me një ndjenjë mosndëshkimi të plotë.” – tha zyrtari.

Vrazhdësia e këshilltarëve

Ambasadorët e huaj dhe diplomatët e tjerë në Paris janë ankuar për atë që ata e përshkruajnë si trajtim ‘të vrazhdë’ dhe ‘arrogant’ nga Bonne dhe Rufo dhe vështirësinë e tyre për t’i kapur e për t’iu përgjigjur thirrjeve telefonike, për t’iu përgjigjur mesazheve me tekst ose për të caktuar një takim. (Bonne mohon se ai kurrë nuk ka refuzuar të takohet me ndonjë ambasador të G20-ës, thanë zyrtarët e Elysée.)

“Ambasadorët janë lodhur 100 për qind nga Elysée dhe vrazhdësia e tij dhe ata nuk do të bëjnë asnjë favor në kryeqytetet e tyre për Macron.” – tha një ambasador i një vendi të G20.

“Ka bërë dëm të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet e Elysée me komunitetin diplomatik.” – tha ambasadori, duke shtuar se këto vështirësi diskutohen hapur midis ambasadorëve në Paris. Ambasadorë të tjerë e mbështetën këtë pretendim.

Ambasadori përshkroi një incident në të cilin një zyrtar i lartë nga Ministria e tyre e Jashtme kishte bërë një fluturim të gjatë drejt Parisit për një vizitë që përfshinte një takim me Bonne, të planifikuar dy muaj më parë. Një njoftim brenda 24 orësh nga zyra e Bonne, e njoftoi zyrën e ambasadorit se i duhej të shtynte takimin.

Pasoi një shkëmbim i shkurtër mesazhesh me tekst, i parë nga POLITICO, në të cilin Bonne i tha ambasadorit se ai i shërben presidentit francez, i cili kishte kërkuar praninë e tij në kohën kur ishte parashikuar takimi.

Në fund u caktua një takim i ri. Por ambasadori tha se Bonne ishte aq e pakëndshme sa zyrtari vizitues e mbajti shënimin dhe i tha ambasadorit: “Ne e mbajmë lart moralin tonë – ne nuk i kundërpërgjigjemi por e kujtojmë atë.”

Frustrimet me ‘qelinë’ janë përfolur gjithashtu brenda rrjetit diplomatik francez.

Që nga presidenca e Charles de Gaulle, politika e jashtme ka qenë kryesisht domeni i kreut të shtetit francez, me ministrin e Jashtëm që vinte i dyti në radhë pas tij. Kjo i jep qelisë diplomatike në Elysée lëvizje të jashtëzakonshme gjatë rrjedhës së punëve të jashtme. Nën administrata të ndryshme, kjo shpesh ka çuar në tensione dhe luftëra terreni me Ministrinë e Jashtme.

Sidoqoftë, diplomatët francezë me shërbim të gjatë thonë se situata aktuale është e jashtëzakonshme.

Një kabëll diplomatik francez i datës 26 mars 2020, parë nga POLITICO, tha se takimet në Elysée shkurtuan mesazhet diplomatike të Francës përpara një videokonference më parë atë muaj me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, që përfshinte presidentin Macron, kancelaren gjermane Angela Merkel dhe kryeministrin Britanik Boris Johnson.

Sipas kabllos, mesazhet e Francës u ‘ngatërruan’ nga dy takime në dukje kontradiktore që ambasadori turk, Ismail Hakki Musa, kishte në Elysée, njëra me Bonne dhe tjetra me zyrtarin e lartë të Elysée, Sekretarin e Përgjithshëm, Alexis Kohler. Zyrtarët e Elysée nuk pranuan të komentojnë.

Flitet për trazira

Fjala për trazira në qelinë diplomatike të Elysée ka qarkulluar për muaj me radhë brenda administratës presidenciale dhe qeverisë, me shumë njerëz që pyesnin se si u lejua të zhvillohej një mjedis i tillë pune. Bisedat për telashet në qeli u intensifikuan pasi një këshilltare, Claire Thuaudet, u vendos në pushim mjekësor në fillim të këtij viti.

Thuaudet shërbeu si këshilltare e çështjeve globale, duke mbikëqyrur çështjet e ndryshme përfshirë klimën dhe shëndetin. Ajo u largua zyrtarisht nga qelia në 4 Mars, pas shfaqjes së pandemisë Covid-19 si një kërcënim i madh. Vendi i punës mbeti bosh ndërsa pandemia u rrit në të gjithë botën, derisa një zëvendësues u emërua në gusht. Thuaudet tani shërben si drejtore i Institutit Francez në Itali.

Pasi një këshilltar tjetër, Teymouraz Gorjestani, përgjegjës për Amerikën dhe Azinë, u vu në pushim mjekësor nga mjeku i tij, hetimi i jashtëm u urdhërua në fund të gushtit.

Zyrtarët që e njohin Thuaudet dhe Gorjestani i përshkruajnë ata si të traumatizuar nga koha e tyre në qelinë diplomatike. Ata nuk pranuan të komentojnë mbi të dhënat në këtë artikull.

Stili i menaxhimit francez ka tendencë të jetë më i ashpër sesa në vende të tilla si SHBA-ja. Shumë francezë janë rritur në një regjim dashurie të ashpër, me theksin shpesh te ‘të fortët’. Kritikat e ashpra besohet se janë të nevojshme për t’i shtyrë studentët dhe punonjësit në përsosmëri.

Vetë Macron shpesh përshkruhet nga zyrtarë që kanë punuar ngushtë me të si një ‘Darvinist’ – duke mbështetur një qasje më të mirë për mbijetesën midis ekipit të tij. Dhe përplasjet e ashpra nuk janë të padëgjuara në postet e politikës së jashtme franceze, përfshirë Ministrinë e Jashtme.

Zyrtarët që njohin Thuaudet dhe Gorjestani megjithatë, thanë se ata lulëzuan në punët e mëparshme ku punon gjithashtu nën presion të lartë.

“Teymouraz Gorjestani ishte më i miri që kisha në ekipin tim, Claire Thuaudet është e mrekullueshme dhe shumë punëtore.” – tha një ish-zyrtar diplomatik me reputacion të fortë që punoi me të dy.

Thuaudet punonte në zyrën e Ministrit të Jashtëm të atëhershëm Laurent Fabius, i cili ishte i njohur si një shef kërkues. Gorjestani shërbeu në Misionin Francez në Kombet e Bashkuara në Neë York, ku ngarkesa e punës mund të jetë e madhe dhe shqyrtimi është i lartë.

Zyrtarët dhe ish-zyrtarët e tanishëm në Elysée, që ishin dëshmitarë të shpërthimeve në qeli përshkruan raste kur Rufo humbi durimin, duke bërtitur, nënçmuar dhe ulur kolegët pasi sipas saj nuk e kishin bërë detyrën siç kishte parashikuar. Rufo mohon se ky ishte rasti, thanë zyrtarët e Elysée.

Zyrtarët përshkruan gjithashtu një mjedis në të cilin Bonne dhe Rufo u bërtisnin vartësve deri në shpërthimin e tyre deri në lot, duke e urdhëruar më pas stafin që të ribënte punën pa pushim ndërsa ndryshonin udhëzimet e tyre ose dështonin të siguronin informacionin e nevojshëm.

Zyrtarë të shumtë me njohuri të dorës së parë të situatës thanë se Bonne dhe Rufo bllokuan një emërim të planifikuar të Thuaudet në postin e Konsulles së Përgjithshëm në San Francisco duke u dhënë vartësve ndjenjën se kishin fuqinë të shkatërronin karrierën e tyre në shërbimin diplomatik francez.

Një zyrtar i presidencës afër situatës e kundërshtoi këtë nocion.

“Asnjë nga personat që u larguan nuk u penguan në karrierën e tyre.” – tha zyrtari.

Sipas zyrtarëve të shumtë edhe mes Bonne e Rufo ka pasur konflikt. Tre prej tyre thanë se Rufo u tha kolegëve se Bonne duhet të zëvendësohet. Presidenca nuk pranoi të komentonte.

Kundërpërplasja e ‘Gjendjes Kome’

Përtej këtyre çështjeve të personelit, disa zyrtarë francezë u ankuan se qelia dështoi të përgatisë diplomatët për t’u marrë me reagimin e madh ndërkombëtar kundër përshkrimit që Macron i bëri vitin e kaluar NATO-s duke e emërtuar si një organizatë në ‘Gjendje Kome’.

Dy ose tre javë para se vërejtjet të botoheshin në ‘Economist’, qelia kishte transkriptimin e intervistës, sipas dy zyrtarëve privatë të informacionit.

Ata thanë se shqetësimet u ngritën në dy takime javore të qelisë rreth efektit që komenti i Macron mund të kishte, megjithëse askush nuk parashikoi ‘stuhitë’ e mëvonshme. Gjatë asaj kohe, as Bonne dhe as Rufo nuk u dhanë udhëzime vartësve të tyre se si të trajtojnë ndonjë reagim, thanë zyrtarët.

Zyrtari i presidencës afër situatës hodhi poshtë kritikat e tilla, duke thënë: “Unë nuk kujtoj takime gjatë të cilave dikush paralajmëronte për ndonjë gjë.”

“Fakti është që qëllimi i presidentit u përmbush.” – shtoi zyrtari, duke iu referuar dëshirës së Macron për t’i dhënë NATO-s një lloj goditjeje elektrike diplomatike përpara samitit të saj në dhjetor 2019 në Londër.

Zyrtarë të tjerë thanë se njerëzit përkatës në Ministrinë e Jashtme ishin informuar vetëm për përmbajtjen e intervistës dy ditë para botimit, apo edhe më vonë.

Lënia e diplomatëve në errësirë ​​mund të ketë qenë një zgjedhje e qëllimshme nga Macron, i cili paralajmëroi publikisht ambasadorët francezë në 2019 që të mos përpiqen të zbusin politikat e tij përçarëse dhe foli për ‘Deep State’ në një fjalim në Ministrinë e Jashtme.

Por mungesa e një ngritjeje në kohë të çështjes zemëroi zyrtarët dhe diplomatët francezë, të cilët mbetën duke u përpjekur të gjejnë argumente dhe qenë të pajisur keq për të mbrojtur Macron ndaj aleatëve të hutuar.

Një zyrtar i dytë i Elysée afër situatës tha se efekti i mesazhit të Macron ishte parashikuar dhe qelia diplomatike foli me Ministrinë e Jashtme ‘menjëherë’. Por zyrtari nuk saktësoi se sa përpara botimit ishte njoftuar ministria.

Të dy zyrtarët gjithashtu u përpoqën të shuanin çdo armiqësi midis qelisë dhe Ministrisë së Jashtme.

“Ministria e Jashtme është një ministri me një mision, me njerëz që janë të apasionuar pas punës së tyre.” – tha zyrtari i parë. Zyrtari tha se nganjëherë kërkesat e presidencës ndaj ministrisë qëndrojnë pa përgjigje, por tha se kjo ‘nuk ka rëndësi’, duke shtuar se çdo këshilltar në qeli ka një drekë koordinuese javore me homologët e tij në ministri.

Shtypje agresive

Bonne dhe Rufo janë persona të pazakontë krahasar me llojet e zakonshëm të kandidatëve për pozitat e tyre.

Rufo, e cila është një produkt i pastër i institucioneve elitare franceze me diploma nga tre universitetet më prestigjioze të shkencave shoqërore dhe të politikës së vendit, nuk ka shërbyer kurrë në një ambasadë jashtë vendit. Ajo është gjithashtu vetëm 40 vjeç dhe gruaja e parë që ka një pozicion kaq të lartë në ‘qeli’.

Bonne nuk ndoqi shkolla të tilla elitare, por u specializua në Lindjen e Mesme, duke bërë punë në terren, duke mësuar Arabisht, Turqisht dhe dialektin Farsi dhe duke shërbyer në disa nga postet më komplekse diplomatike, duke përfshirë ato në Arabinë Saudite, Iran dhe Liban, si dhe në Kombet e Bashkuara.

Ata të dy shërbyen në qelinë diplomatike të presidentit të atëhershëm François Hollande, në poste më të ulëta dhe u takuan me Macron kur ai ishte atëherë zëvendëssekretar i përgjithshëm i Elysée.

Që kur u zbulua hetimi në qeli, zyrtarët në presidencë pranë situatës kanë reaguar gjithnjë e më agresivisht ndaj akuzave.

Ata kanë theksuar rolin udhëheqës që Franca ka luajtur në skenën ndërkombëtare nën Macron ndërsa hedhin poshtë ankesat e brendshme.

“Kini kujdes nga thashethemet, nëse nuk doni të merrni pjesë në një fushatë që ka një objektiv të caktuar.” – tha një nga ata zyrtarë.

“Qortimi kryesor që mund t’u bëhet diplomatëve është se ata janë ndonjëherë llafazanë”.

Nën udhëheqjen e Bonne, qelisë diplomatike i është dashur të lundrojë në ujërat jashtëzakonisht të trazuara në skenën ndërkombëtare, duke trajtuar një pandemi globale, një Turqi gjithnjë e më luftarake, marrëdhënie komplekse me Rusinë dhe Kinën dhe një nivel të shkëputjes mes SHBA-së dhe Evropës që nuk është parë që para Luftës së Dytë Botërore.

Ai i ka trajtuar këto çështje me më pak se një duzinë këshilltarësh – një pjesë e vogël e afërsisht 100 personave të stafit që janë pjesë e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të SHBA-së, ekuivalenti i tij më i afërt.

Qelia ka mbështetur një seri iniciativash të profilit të lartë francez, duke iu afruar ndërmjetësimit të një marrëveshjeje midis SHBA-së dhe Iranit dhe duke pritur një samit të G7-ës që fitoi lavdërime të gjera për presidentin Macron për mënyrën si u trajtua presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Megjithatë, edhe pse Franca dhe presidenti i saj kanë profilin e tyre më të lartë ndërkombëtar në dekada, zyrtarët francezë thonë se diplomatët kanë refuzuar të marrin pozicionet zakonisht shumë të kërkuara që janë bërë të lira brenda qelisë diplomatike.

Zyrtarët e presidencës pranë situatës e mohojnë këtë, duke theksuar rekrutimin në fund të gushtit të një këshilltareje të re për Turqinë dhe Evropën kontinentale, Isabelle Dumont – një ish-ambasadore turqishtfolëse në Ukrainë dhe Qipro – dhe një këshilltar të ri për globale punët, Olivier Ray, i cili drejtoi Agjencinë Franceze të Zhvillimit në Liban.

“Më duket e padrejtë kur lexoj se kjo skuadër ka probleme me rekrutimin.” – tha një nga zyrtarët e presidencës.

 “Ekipi është duke bërë punën e tij, duke punuar. Nuk është e këndshme të dëgjosh se ka probleme rekrutimi për ata që sapo u rekrutuan.”

Sidoqoftë, dy vende të lira pune ende nuk janë plotësuar – postet e këshilltarit për Evropën dhe këshilltarit të Çështjeve Strategjike. Alexandre Adam, një këshilltar teknik për Evropën, pritet të marrë postin e këshilltarit për Evropën, të cilën ai e ka mbajtur deri tani si i komanduar.

Vetë Rufo pritet të marrë postin e Çështjeve Strategjike, sipas zyrtarëve, në një lëvizje që do t’i jepte asaj më shumë ndikim zyrtar në qeli.

As Bonne dhe as Rufo nuk po planifikojnë të japin dorëheqjen, sipas zyrtarëve.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *