TikTok ka në plan të punësojë rreth 3,000 inxhinierë gjatë tre viteve të ardhshme, kryesisht në Evropë, Kanada dhe Singapor. Kështu ka deklaruar kompania të martën, në një prononcim për Reuters.
Ky vendim tregon se aplikacioni i famshëm për videot e shkurtra nuk ka hequr dorë nga planet e zgjerimit, pavarësisht diskutimeve mbi pronësinë e saj. Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar kompaninë kineze mëmë të aplikacionit “ByteDance” që të shesë TikTok-un në SHBA për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e të dhënave personale.
“Për të mbështetur rritjen tonë të shpejtë globale, ne planifikojmë të vazhdojmë të zgjerojmë ekipin global të inxhinierisë së TikTok-ut, duke përfshirë shtimin e afërsisht 3,000 inxhinierëve në Kanada, Evropë, Singapor, si dhe në SHBA gjatë tre viteve të ardhshme.“- tha një zëdhënës i TikTok-ut.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të mbeten një nga qendrat inxhinierike për kompaninë dhe do të punësojnë më shumë staf.
Janë rreth 1.000 inxhinierë që aktualisht punojnë për TikTok-un jashtë Kinës, gati gjysma e tyre me qendër në Mountain Vieë, Kaliforni.
Reuters më parë kishte njoftuar gjithashtu se kompania ByteDance ka në plan të investojë miliarda dollarë dhe të rekrutojë qindra punonjës në Singapor, të cilin e ka zgjedhur si selinë e saj në Azinë Juglindore.