Vendosni fjalën kyçe....

A janë rritur rastet me Covid-19 në vend? Ç’thonë statistikat për tetorin (Tabelat)


Në një dalje të pazakontë, zv.ministrja e Shëndetësisë, Rakacolli, njoftoi se Komiteti i Ekspertëve ka vendosur që mësimi në universitetet e vendit të zhvillohet online, të paktën për një muaj, ndërsa shtoi se konviktet do mbeten mbyllur deri në një njoftim të dytë.

Përveç kësaj, ajo tha se është menduar që puna në lokalet që ndodhën në zonën e bllokut të mbyllen pas orës 10 të mbrëmjes, duke qenë se ajo shihet si vatër e përhapjes së koronavirusit.

Ajo tha se rastet janë rritur ndjeshëm ndërsa pohoi se vendimet në ditët në vijim do merren në bazë të ecurisë. Po si ka qenë ecuria e rasteve me Covid-19 në vend gjatë muajit tetor.

Sipas Worldometer, që citon burimet zyrtare të furnizuara nga autoritetet shqiptare, ditët e para të muajit tetor kanë pasur një numër rastesh të reja të krahasueshëm me muajin shtator dhe gjysmës së dytë të muajit gusht.

Deri në mesin e tetorit, rastet e reja ditore nuk e kapërcejnë numrin 200. 14 tetori është dita ku numri i rasteve të reja është rritur në mbi 200 duke vijuar më pas rritjen edhe në ditët e tjera me ditë të veçanta ku numri i të prekurve ka qenë mbi 300.

Megjithatë duhet theksuar fakti se paralelisht me numrin e rritur të rasteve të reja është rritur edhe numri i testimeve të kryera, gjë që teorikisht ndikon në raportimin në rritje të rasteve të reja.

Ndërsa në fund të muajit gusht testimet ditore ishin 400 deri në 500 në ditë, në muajin shtator ato erdhën në rritje duke shkuar në rreth 800 në mes të muajit dhe afër 900 në fund të tij.

Fillimi i tetorit i gjeti numrat e testimeve në rritje me mbi 1 mijë në ditët e para të muajit ndërsa së fundmi ato e kanë kapërcyer numrin 1400.

Për sa u përket vdekjeve, me përjashtim të 27 tetorit ku kishte shtatë viktima, numri i tyre gjatë muajit tetor ka qenë me ulje-ngritje dhe i krahasueshëm me ato që janë raportuar në shtator, gusht, korrik e ditë të veçanta të qershorit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *