Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Rama si Lukashenko, refuzoi thirrjet e BE-së për ndryshimet e Kodit Zgjedhor


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas votimit nga mazhoranca të rrëzimit të dekretit të Presidentit për ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

Me këtë votim, tashmë ndryshimet e Kodit Zgjedhor të bëra nga mazhoranca hyjnë në fuqi për zgjedhjet e 25 prillit.

Në ndërkohë, Bardhi thotë se Rama refuzoi që thirrjet e BE-së për për të pritur rekomandimet e Venecias dhe shtoi se me këtë veprim Shqipëria është më pak demokratike dhe evropiane.

Me rrëzimin e dekretit të presidentit, duke refuzuar thirrjen e Bashkimit Europian për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias për Kodin e njëanshëm Zgjedhor,  Shqipëria është më pak demokratike dhe më pak europiane.

Qeveria e Edi Ramës është identifikuar në Bruksel dhe në kryeqytetet kryesore europiane si një qeveri që punon kundër integrimit europian dhe kundër interesit të qytetarëve”-tha Bardhi.

Numri i dy i PD-së e krahasoi Ramën me Lukashenkon me refuzimet që bëri për thirrjet e përsëritura nga BE-ja.

“Me refuzimin që i bëri thirrjeve të përsëritura të Bashkimit Europian, Edi Rama nuk ndryshon nga Llukashenko. Për pushtetin e tij personal, është gati t’i vërë zjarrin Shqipërisë, të izolojë shqiptarët dhe t’i ndëshkojë ata duke penguar me dashje hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Injorimi i thirrjes së Bashkimit Europian për të pritur Opinionin e Komisionit e izolon përfundimisht Shqipërinë dhe e fut në hartën e vendeve që janë në kurs përplasje me Europën. Kjo është përgjegjësia e vetëm një njeriu, që pushtetin e tij personal e vendos mbi interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. 

Tentativa e Edi Ramës për ta vënë Komisionin e Venecias përpara faktit të kryer, me teorinë që me Opinionin do të shohim se çfarë mund të bëjmë pas zgjedhjeve, është qasja më antidemokratike që mund të mbajë Kryeministëri i një vendi që pretendon të nisë negociatat me BE.

Rregullat e zgjedhjeve nuk janë referendum në PS për të emëruar Edi Ramën Kryetar të Rilindjes! Ligji zgjedhor është garancia e qytetarëve shqiptarë për zgjedhje demokratike dhe të ndershme. Ai duhet domosdoshmërisht të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet europiane, që të jetë i pranueshëm nga qytetarët dhe partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje. Kurrë në këto 30 vite Shqipëria nuk ka shmangur ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe ODIHR përpara miratimit dhe implementimit të ligjit zgjedhor, as kur ai ka qenë konsensual.

Asnjë palë nuk mund të imponojë rregulla të njëanshme palëve të tjera pjesëmarrëse ne zgjedhje! Kjo nuk është demokratike”-tha Bardhi.

Më tej, Sekretari i PD-së tha se Rama ka frikë nga vota e qytetarëve prandaj refuzoi hapjen e vërtetë të listave.

Njëanshmëria e Edi Ramës, frika e tij nga zgjedhje e vërteta, shkelja e Marrëveshjes së 14 Janarit dhe 5 Qershorit, që shtruan rrugën për një klimë politike normale parazgjedhore, si dhe arroganca për të injoruar nevojën për ekspertizë ndërkombëtare nga Komisioni i Venecias, po fut seriozisht vendin drejt një aventure të rrezikshme dhe të panjohur, në përplasje me Bashkimin Europian. Çdo akt i Edi Ramës në lidhje me zgjedhjet e 25 Prillit tregon se ai ka frikë nga zgjedhjet!

Edi Rama ka frikë nga vota e qytetarëve, prandaj refuzoi hapjen e  vërtetë të listave dhe votimin e deputetëve direkt nga qytetaret.

Edi Rama ka frikë nga zgjedhjet, sepse ai nuk e do Europën. Ai do vetëm të vjedhë, të zaptojë, të pasurohet në kurriz të shqiptarëve. Kjo është arsyeja përse Shqipërisë i shtohen kushtet nga viti në vit. Edi Rama bën mirë që ka frikë nga zgjedhjet! Pas 25 Prillit ai do të mbajë përgjegjësi ligjore për çdo të keqe që i ka bërë vendit dhe shqiptarëve në këto 8 vjet! Nuk ka as Kod Zgjedhor, as Kushtetutë, asnjë formulë magjike që ta shpëtojë nga vota e shqiptarëve!”

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *