Ekonomia e Shteteve të Bashkuara u rrit me një normë surprizuese në tremujorin e tretë, ndërkohë që Qeveria ka “derdhur” mbi 3 trilionë dollarë në ndihma ndaj pandemisë, gjë që ka nxitur shpenzimet konsumatore. Megjithatë, gjurmët e thella nga recesioni i Covid-19, do të kërkojë 1 vit apo më shumë për t’u rikuperuar.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me një normë vjetore prej 33.1% në tremujorin e tretë, sipas Departamentit të Tregtisë.
Kjo është norma më e shpejtë që prej nisjes së regjistrimit të të dhënave në vitin 1947 dhe ndjek një tkurrje gjithashtu rekord prej 31.4% në tremujorin e dytë.
Raporti i PBB, treguesi kryesor ekonomik përpara zgjedhjeve presidenciale të javës së ardhshme, nuk ka gjasa të zbusë tragjedinë njerëzore të pandemisë, ndërkohë që dhjetëra milionë amerikanë janë ende të papunë dhe mbi 222,000 kanë vdekur. Ndërkohë që 5 ditë kanë mbetur nga dita e zgjedhjeve, presidenti Donald Trump, që ndodhet mbrapa çdo sondazhi kombëtar, do të përfitojë nga të dhënat ekonomike, raporton Scan-tv.
Megjithatë, prodhimi ekonomik amerikan qëndron ende shumë poshtë nivelit të tremujorit të katërt 2019. Paketa e shpëtimit të qeverisë ofroi mbijetesë për shumë biznese, duke nxitur punësimin dhe shpenzimet konsumatore, që ishin faktori nxitës i treguesit të PBB.