Vendosni fjalën kyçe....

Ekranet shqiptare pushtohen nga debatet për fenë, karikaturat e radikalizimin


Ditët e fundit ka qenë pothuajse e pamundur të mos dëgjoje debate mbi fenë sapo ndezje ekranin e televizorit.

Debatet për fenë, për karikaturat e profetit Muhamed e radikalizimin dukej sikur kishin pushtuar ekranet shqiptare këto ditë, pasi përtej raportimeve të përditshme në edicionet informative, kishte edhe disa programe të veçanta dedikuar këtyre çështjeve.

Shqiptarët në kampet siriane dhe radikalizimi

Dy ditë më parë kishim disa programe ku u fol për shpëtimin e 3 fëmijëve dhe një gruaje nga kampi i Al Hawl në Siri, ku qëndrojnë të radikalizuarit e ISIS-it.

Operacioni që ka zgjatur 5 javë u mbyll para dy ditësh me rikthimin në shtëpi të Floresha Rashës dhe tre fëmijëve të saj.

Të martën e 27 tetorit, në programin “Me Zemër të Hapur” në “News 24” diskutohej për shqiptarët në Siri që dëshironin të ktheheshin në atdhe. Ndërkohë pati dhe një lidhje të drejtpërdrejtë me babanë e Alvin Berishës, një prej fëmijëve që u kthye në vend një vit më parë pasi u shpëtua nga i njëjti kamp në Siri.

Në programin “Opinion” në “TV KLAN” në të njëjtën datë, diskutohej për të njëjtën temë. Se si shteti shqiptar kishte nisur zyrtarisht operacionin e riatdhesimit të familjeve të luftëtarëve shqiptarë në Siri, ku i ftuar ishte dhe drejtori i antiterrorit Gledis Nano.

Në emisionin “Open” në “Top Channel” një ditë më parë gjithashtu diskutohej mbi kthimin e fëmijëve nga Siria, ndërsa u debatua edhe pse disa shqiptarë në kamp refuzojnë të kthehen. Diskutime pati edhe për mënyrën se si radikalizohen shqiptarët atje.

Dhe feja duket të jetë e pashmangshme në këto diskutime, për shkak se të radikalizuarit janë besimtarë të devotshëm të islamit, ndërsa edhe organizata terroriste e Shtetit Islamik (ISIS) sulmet terroriste i ka kryer pikërisht duke u justifikuar me besimin.

Karikaturat e profetit dhe islamofobia

Ndërkohë ditën e djeshme sidomos kishte disa programe ku debatohej për revistën satirike franceze “Charlie Hebdo” dhe për karikaturat ndaj profetit Muhamed.

Mbrëmjen e kaluar po në emisionin “Open”,  u diskutua mbi karikaturat e profetit Muhamed dhe konfliktin e krijuar mes Francës dhe vendeve myslimane për fenë islame dhe islamofobinë.

Në këtë emision pati deklarata të forta dhe nga karikaturisti shqiptar Bujar Kapexhiu, i cili duket se nuk mban të njëjtin qëndrim me karikaturistët francezë.

Kapexhiu iu drejtua analistit dhe gazetarit Mustafa Nano: “Nëse do të më fyesh në gjënë e shenjtë Nano, unë ty të vras”.

Kapexhiu shtoi se nuk mund të vendoset një shenjt në një pozicion denigrues dhe se kush është ateist, “le ta mbajë për vete, por s’ka pse fyen të tjerët”.

Ndërkohë që me datë 21 tetor, i njëjti emision televiziv pati zhvilluar një tjetër debat po mbi këtë temë, për shkak të ngjarjeve në Francë të krijuara me vrasjen e mësuesit francez.

Ditën e djeshme gazetari Blendi Fevziu i kushtoi programin e tij gjithashtu karikaturave.

Debate të ngjashme ka patur përgjatë këtyre ditëve edhe në programe të tjera televizive, përpos atyre të lartpërmendura.

Në fakt ky debat nuk po zhvillohet vetëm në vendin tonë, apo në Francë por në të gjithë botën.  Pas vrasjes së një mësuesi historie nga një radikal islamik, Franca dhe presidenti i saj Macron ka provokuar duke projektuar në muret e ndërtesave qeveritare karikaturat e “Charlie Hebdo”, veprim që nuk është pritur mirë nga vendet myslimane.

Madje Macron po akuzohet se po nxit “islamofobinë” dhe për standarde të ndryshme mbi fe të ndryshme.

Çfarë ka ndodhur në Francë?

Një mësues historie, Samuel Paty, u ekzekutua në mënyrë makabre me prerje koke më 16 tetor nga një person i radikalizuar në rrethinat e Parisit.

Paty kishte treguar karikaturat e revistës “Charlie Hebdo” të Profetit Muhamed para studentëve gjatë një leksioni për lirinë e fjalës.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat” pavarësisht ngjarjes, ndërsa lejoi projektimin e tyre dhe në muret qeveritare.

Udhëheqësit në Turqi, Pakistan, Marok, Iran, Egjipt, Kuvajt, Jordan, Malajzi dhe Katar janë midis atyre që kanë kritikuar Macronin dhe kanë ndërmarrë veprime kundër Francës, përfshirë bojkotet kundër mallrave franceze.

Turqia duket vendi që është zemëruar më shumë nga qëndrimet e Francës, mbi të gjitha pasi revista satirike “Charlie Hebdo” publikoi një karikaturë fyese dhe për liderin e saj Recep Tayyip Erdogan.

Masakra e “Charlie Hebdo”

Në janar të vitit 2015 dy vëllezërit myslimanë, Saïd dhe Chérif Kouachi, u futën me forcë në zyrat e gazetës së përjavshme satirike franceze “Charlie Hebdo” në Paris. Të armatosur me pushkë dhe armë të tjera, ata vranë 12 persona dhe plagosën 11 të tjerë.

Ata ishin ndjerë të ofenduar nga revista, e cila kishte publikuar karikatura të profetit Muhamed, gjë që në islam konsiderohet blasfemi.

Kjo ngjarje shënoi fillimin e një vale sulmesh xhihadiste në të gjithë Francën që lanë më shumë se 250 njerëz të vdekur.

Në ditët pas sulmeve, miliona njerëz morën pjesë në marshime solidariteti në të gjithë Francën dhe nëpër botë, nën parullën “Je suis Charlie”, që në shqip përkthehet “Unë jam Charlie”.

Pavarësisht këtyre sulmeve, revista shprehet e vendosur të vijojë me publikimin e karikaturave për profetin Muhamed si dhe për fetë e tjera, duke arsyetuar se kjo është “shprehje e lirisë së fjalës”.

Dhe për këtë ka patur mbështetje të fortë nga qeveria franceze, e cila thotë se nuk do lejojë separatistët islamikë të ndikojnë vlerat e Francës.

Presidenti Macron u zotua të luftojë “separatizmin islamik”./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *