Analisti Fatos Lubonja e ka krahasuar kryeministrin Edi Rama me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa shprehet se ai nuk lë të krijohen parti të reja, pasi i blen me oligarkët që ka.
Këtë deklaratë Lubonja e ka bërë ndërsa ishte i ftuar mbrëmjen e kaluar në emisionin “Real Story” në televizionin “News 24”.
“Rama, jo Lulzim Basha, i ka marrë të gjithë oligarkët. Kur kishte ca oligarkë PD dhe ca PS, kur kishte Rama Tiranën me oligarkët e vet dhe kishte Berisha ca të tjerë, Shqipëria ishte më normale, më pak autoritare dhe më pak e korruptuar e më pak vidhej, seç vidhet tani. Tani këta të partive të reja thonë se ‘janë të gjithë njësoj dhe ne jemi ndryshe’.
Mua përvoja më ka treguar se gjëja e re që prisja unë nuk lindi për dy arsye, e para sepse duke e kapur Rama pushtetin, ka punuar shumë që të mos lindë asgjë e re. Po u bëre Putin, nuk lë të lindë gjë e re. Në këtë situatë ku jemi ne, nuk lind gjë e re, lindin vetëm kërpudha. Nuk mund të lindë më një gjë e re për 1 mijë arsye, që është e njëjtë me historinë e Putinit. Edi Rama nuk iu lë të fitoni dhe as të krijoni parti, se ato 10 oligarkët që ka do të të blejnë ty, e të gjithë partitë e reja”, tha Lubonja.
Sipas tij, kryeministri i hoqi edhe koalicionet, për shkak se do që të fitojë i vetëm. Lidhur me partinë e re të krijuar nga ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Lubonja shprehet se ajo mund të marrë vota në Shkodër, “por janë vota që i leverdisin Edi Ramës”. Sipas tij nuk i falet Topallit që të bëjë PS-në dhe PD-në njësoj në fushatë elektorale.