Kuvendi s’pyet as për ndërkombëtarët, voton sot ndryshimet në Kodin Zgjedhor


Kuvendi nuk humb kohë për të votuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor pas kthimit në Kuvend nga Presidenti i Republikës, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të komisionerit europian Oliver Vahelyi ndaj maxhorancës dhe thirrjeve të disa eurodeputetëve për të pritur një opinion nga Komisioni i Venecias.

Kodi Zgjedhor është futur në diskutimet e rendit të ditës në seancën e sotme plenare. Në Komisionin e Ligjeve dekreti i presidentit Meta u rrëzua me 15 vota, ndërkohë që edhe sot në Kuvend pritet që ky dekret të rrëzohet.

Pasi Komisioneri Varheley i kishte bërë disa herë thirrje kryeministrit Edi Rama që të priste opinionin nga Komisioni i Venecias, ditën e djeshme tetë eurodeputetë nga grupi i Partive Popullore Europiane, i drejtuan një letër kryeministrit ku shprehin tronditje sipas tyre nga deklarata e tij për të miratuar Kodin Zgjedhor, pa pritur një opinion të Komisionit të Venecias.

Në letrën e nënshkruar nga gjermanët, Michael Gahler dhe David McAllister, austriaku Lukas Mandl, suedezi David Lega, si dhe nga Sandra Kalniete, Letoni, Zeljana Zovko, Kroaci, Vladimir Bilcik, Sllovaki, i bëjnë thirrje Kryeministrit Edi Rama që të vendosë të parin interesin e demokracisë shqiptare dhe perspektivën e saj evropiane, “të tërhiqeni nga votimi i ndryshimeve në Parlament derisa të flasë Komisioni i Venecias”.

Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero-Hernandez ka mbajtur të njëjtin qëndrim.

Por Rama duket i vendosur ta çojë përpara projektligjin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor pavarësisht kundërshtive brenda dhe jashtë vendit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *