Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, njoftoi para pak çastesh se universitetet në vend do zhvillojnë mësim online për të paktën një muaj, ndërsa konviktet do vijojnë të mbeten të mbyllura deri në një njoftim të dytë.
Në deklaratën për media, ajo theksoi se vendimi është marrë nga Komiteti i Ekspertëve lidhur me shtimin e rasteve me Covid-19 në vend ditët e fundit.
Po kështu, ajo tha se Komiteti i Ekspertëve po mendon mbylljen e pjesshme të lokaleve e bareve në zonën e ish-Bllokut pas orës 10 të mbrëmjes, pasi ajo konsiderohret si vatër rreziku për përhapjen e Covid-19.
“Për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19 Komiteti i Ekspertëve ka vendosur që universitetet të zhvillojnë mësim online të paktën për një muaj ndërsa konviktet do mbeten të mbyllura deri në një njoftim të dytë. Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjate orëve të natës. Rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese por dhe me sezonin e vjeshtës që sjell më shumë grumbullime në ambjentet e brendeshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura.” – tha Rakacolli.