Presidenti francez Macron e ka cilësuar si sulm terrorist ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në Nice të Francës, ku tre persona u vranë me thikë brenda një kishe. Gjatë vizitës në qytet ai tha se vendi ishte ‘nën sulm’.
Dy njerëz u vranë brenda një kishe katolike në qytetin jugor francez, sipas raporteve lokale, ndërsa një person i tretë arriti të shpëtonte por humbi jetën pak më vonë në spital. Agresori që akuzohet për sulmin është qëlluar nga policia dhe është dërguar në spital.
Duke vizituar Nice-n pas vrasjes së trefishtë, Macron u zotua të vendosë mijëra ushtarë të tjerë francezë për të mbrojtur vendet kryesore, duke përfshirë vendet e adhurimit dhe shkollat.
“Këtë mëngjes vendosëm të rrisim vigjilencën në të gjithë Francën për t’u përshtatur me kërcënimin terrorist.” – u tha presidenti gazetarëve.
“Unë kam vendosur që ushtarët tanë të mobilizohen më shumë në orët e ardhshme dhe ne do ta rrisim atë duke mobilizuar nga 3,000 në 7,000 ushtarë.” – shtoi ai.
Incidenti në Nice vjen dy javë pas vrasjes brutale të një mësuesi, Samuel Paty, jashtë vendit të tij të punës afër Parisit, pasi ai u kishte treguar studentëve karikatura të Profetit Muhamed gjatë një ore mësimi.
Agresori, një 18-vjeçar me origjinë çeçene u qëllua dhe u vra nga policia pranë skenës së krimit. Një person tjetër u ekzekutua nga policia në Avignon pasi pretendohet se sulmoi disa oficerë policie me thikë.