Deputeti Halit Valteri nuk u bind nga përgjigja e ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj, lidhur me shpjegimin që i bëri procesit të rindërtimit.
Valteri deklaroi se ishte i gatshëm ta merrte ai projektin e t’i rindërtonte banesat.
“Asnjë nga objektet e shkatërruara nga tërmeti nuk është ndërtuar, aty ku nuk manipulon dot me projektet 3D. Nuk e dini se sa pallate janë në gjendje të pabanueshme, por njerëzit jetojnë akoma brenda. 3310 banesa të pabanueshme në Durrës, 1352 në Tiranë, në Lezhë 1230 të pabanueshme dhe prap bilanci është i njëjtë. Në Tiranë janë shembur 10 objekte, asnjë i rindërtuar.
Mi jepni mua more se i ndërtoj unë se e njerëzit po bëjnë shtëpi me para borxh, në Lezhë 7 objekte të shembura asnjë nuk është ndërtuar. Po të pyesim ministrin se sa banorë nuk kanë shtëpi, nuk e di. 2274 familje janë në çadër ose me qira, 1310 familje pa strehë, 1187 në Shijak, në Vorë 499, Kavaja 176, nuk kam ardhur këtu të bëj kredo politike apo të zihem me Ben Ahmetajn, por dilni rrugëve se ju ndoshta nuk e kuptoni se çfarë do të thotë të mos kesh një shtëpi në kokë. E keni për detyrë të ndihmoni shqiptarët, por ju keni ngatërruar detyrat, në vend t’i ndihmoni, i zhvatni”, deklaroi Valteri.
Ahmetaj mori fjalën përsëri, duke deklaruar se brenda 31 dhjetorit do të jenë gati 600 banesa individuale në Shijak dhe në Tiranë, teksa e ftoi deputetin Valteri që t’i bashkohet në inspektimet që kryen që të shohë se procesi i rindërtimit po ecën me ritme të shpejta.