Ambasadori i Shqipërisë në Ankara, Kastriot Robo, ka reaguar pas tërmetit të fuqishëm që ka goditur pasditen e sotme Turqinë.
Diplomati tha në një prononcim për televizionin “News 24” se në zonën e Izmirit që është dhe zona më e goditur, ka shumë shqiptarë por deri tani nuk raportohet për të lënduar.
“Ishte një tërmet shkatërrues. Dyshohet se nën rrënoja ka viktima. Në Izmir dhe rrethinat e tij ka shumë shqiptarë. Nuk kemi raportime për shqiptarë të lënduar”, është shprehur ambasadori.
Anadolu Agency raporton se tërmeti ra rreth orës 14.51 (sipas orës lokale) në një thellësi prej 16.54 kilometrash.
Ministri i Brendshëm turk Suleyman Soylu tha se gjashtë ndërtesa në Izmir, u shkatërruan nga tërmeti por për momentin nuk raportohet për viktima. Ai shtoi se ekipet turke kanë nisur operacionin e kërkim-shpëtimit në gërmadhat e ndërtesave të shembura.