Një rast flagrant kur kryeministri i një vendi vë në punë gjithë institucionet për të demaskuar një person që denoncon mungesën e tamponëve, nëpërmjet gjetjes dhe publikimit të dëftesave.
Kjo ishte ajo që ndodhi pikërisht sot, kur kryeministri Edi Rama me mëngjes nxori dëftesat e punonjësit të Shëndetësisë Zija Alhysa, i cili pak ditë më parë kishte denoncuar mungesën e tamponëve në spitalin e Durrësit.
“Harta e të prekurve është zgjeruar në të gjithë rrethin e Durrësit, ka mungesë tamponësh të jashtëzakonshme. Kur dje kishim nevojë për 60, kemi pasur në dispozicion vetëm 15 tamponë”, shprehej mjeku për ABC News, deklaratë të cilën kryeministri Edi Rama nuk e ka pritur mirë, sidomos pasi rivali i tij Lulzim Basha e përdori për të sulmuar qeverinë.
Në mënyrë të paprecedentë, kryeministri i vendit angazhoi institucionet përkatëse për të hetuar dhe verifikuar rastin e mjekut me qëllim për ta diskredituar atë.
Dhe pasi mori informacionin që i nevojitej (dëftesat e shkollës së mesme dhe të kursit të infermierisë që personi në fjalë kishte ndjekur), nuk mund t’ja linte eksluzivitetin askujt. Ai angazhoi zyrën e shtypit të tij në përgatitjen e një kronike për ta nxjerrë lajmin i pari pikërisht nën logon e “ERTV”-së.
Në kronikë theksohej se Alhysa nuk ishte mjek, por infermier dhe kishte kryer shkollën e mesme bujqësore nga viti 1982 deri në 1983-shin, si dhe një kurs infermierie në vitin 1988. Kronika e Ramës tallet me notat e tij ndërsa thekson se edhe lejen e ushtrimit të profesionit të infermierit e ka patur të vlefshme deri më 14 Maj 2020.
Mjek apo infermier, për sa kohë Alhysa punonte në spitalin e Durrësit mesiguri e ka patur një lloj informacioni mbi sasinë e tamponëve që dispononte spitali. Informacion që në rrugë informale duke diskutuar me mjekët mund ta merrte edhe roja i spitalit apo pastruesja.
Por përtej saktësisë apo pasaktësisë së informacionit që punonjësi i spitalit të Durrësit jep, mbetet i rëndë fakti që angazhohet personalisht kryeministri i vendit për të diskretuar një punonjës të Shëndetësisë. Si i bie tani? Kur dikush të ketë një kritikë për qeverinë të mendohet dy herë, pasi rrezikon t’i dalë dëftesa online? / Hashtag.al