Një sasi tritoli ka shpëthyer mëngjesin e sotëm pranë një banese në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë.
Për fat të mirë nga shpërthimi ka patur vetëm dëme të vogla materiale dhe jo njerëz të lënduar.
“Më datë 30.10.2020, rreth orës 03:16, në lagjen Hajro Çakërri, Vlorë, në pjesën e jashtme të banesës së shtetasit Xh.B., 69 vjeç, ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse, ku si pasojë ka vetëm dëme të vogla materiale.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor ku vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.”– thotë policia.
Lidhur me shpërthimin ka folur pronari i banesës Xheladin Banushaj.
69-vjeçari ka treguar para gazetarëve se dikush mund t’i ketë atij ndonjë borxh, por ai vetë jo. Ai nuk ka asnjë person të dyshuar se kush mund ta ketë vënë lëndën eksplozive.
“Ishim në gjumë, orë 3 pa 10. Dëgjojmë zhurmën e dinamitit. Obobo tërmet i them gruas dhe dola. Kur dola, asgjë nuk kishte. Fola me komshinjtë, asnjëri nuk… I them gruas nuk ka gjë.
Kur dola aty, i thashë gruas po kjo qenka dasma jonë.
Absolutisht nuk më shkon mendje tek njeri. Dikush mund të më ketë ndonjë borxh, por unë jo. Unë jetoj vetëm me gruan, ndërsa fëmijët i kam të shpërndarë.
Nuk ka lidhje me fëmijët, i kam fëmijë të rregullt”, u shpreh 69-vjeçari.