Vendosni fjalën kyçe....

KMSH vërejtje medieve shqiptare: Fyerjet ndaj Profetit nuk ndihmojnë në frymën e tolerancës fetare


Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar për ngjarjet e zhvilluara së fundmi në Francë dhe debatin mbi vrasjen e mësuesit francez, karikaturat e profetit Muhamed dhe islamofobinë.

Përmes një deklarate për mediat, KMSH e konsideron vrasjen e mësuesit Samuel Paty një “akt makabër” dhe të pajustifikueshëm, por nga ana tjetër i konsideruan të papranueshme karikaturat për profetin.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po ndjek me vëmendje ngjarjet e fundit në Francë. Ne dënojmë ashpër aktin e vrasjes së një mësuesi francez, kryer nga një adoleshent. Vrasja është e pajustifikueshme, është akt makabër.

Nga ana tjeter, është e papranueshme fyerja e simbolit të paqes e urtësisë, Profetit Muhamed (a.s.). Fyerje e cila është e përsëritur në disa mediume franceze e më gjerë.

Këto ngjarje fyejnë rëndë çdo mysliman, në çdo vend ku ndodhet.”- thuhet në njoftim.

KMSH shpreh shqetësimin edhe për reagimet që ka patur ditët e fundit në mediat në Tiranë, të cilave u bën vërejtje. Sipas KMSH-së, fyerjet ndaj Profetit nuk ndihmojnë në frymën e tolerancës fetare.

“Gjithashtu, ne ndjekim me shqetësim reagimet për këtë çështje edhe në mediumet e Tiranës, ku hera-herës, persona jokompetentë, në emër të ‘lirisë së shprehjes’, i bashkohen fyerjeve ndaj Profetit (a.s.).

Kjo nuk ndihmon në frymën e tolerancës fetare, për të cilën populli shqiptar krenohet aq shumë.

Fyerja e së shenjtës së tjetrit nuk është ‘liri shprehje’.

Liria e shprehjes duhet të hyjë brenda një kornize të përgjegjësisë sociale që ruan të drejtat e tjetrit!

Ne i bëjmë thirrje gjithë besimtarëve myslimanë me kombësi shqiptare, rezidentë në Francë, të jenë të përmbajtur përballë situatave të tilla!”– thotë KMSH.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *