Ndahet nga jeta ish-kryeministri turk Ahmet Mesut Yılmaz. Anadolu Agency shkruan se ish-kryeministri ndërroi jetë në një spital të Stambollit në moshën 73-vjeçare.
Lajmin fillimisht e bëri të ditur mjeku i spitalit Ozgur Samilgil. Vitet e fundit ai vuante nga kanceri i mushkërive, ndërsa më 5 maj, Yılmaz iu nënshtrua një operacioni në tru. Mjekët asokohe thanë se gjendja e tij shëndetësore ishte e qëndrueshme.
Yılmaz, ish-kryetar i Partisë Anavatan (Mëmëdheu) u emërua si kryeministër tri herë në periudhën prej vitit 1991 deri në 1999, duke shërbyer si kryeministër për një periudhë prej dy vjetësh në total.
I lindur më 6 nëntor të vitit 1947, ish-kryeministri ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë, njëri prej të cilëve ndërroi jetë në vitin 2017.