Vendosni fjalën kyçe....

Rritja e rasteve me Covid, KPK e kalon punën online për një javë


Pas rritjes së numrit të rasteve dhe vdekjeve nga pandemia e Covid-19, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka vendosur që të kalojë punën online.

Përmes një njoftimi, KPK thotë se ka vendosur që për një javë të vijojë puna vetëm online për të gjitha strukturat me përjashtim të zyrës së arkivë-protokollit.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) njofton se duke filluar nga data 30.10.2020 deri në datën 6.11.2020, do te kufizoje kryerjen së veprimtarisë dhe vijimin e punës vetëm në distancë (online) nga të gjitha strukturat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me përjashtim të zyrës së arkivë – prokotokollit.

Dëshirojmë të informojmë opinionin publik se gjatë kësaj periudhe veprimtaria e KPK do të vijojë pa ndërprerje, përmes platformave zyrtare online, në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e infeksionit si dhe të sigurohet shëndeti i punonjësve.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit informon se denoncimet nga qytetarët do të vijojnë të pranohen online përmes postës zyrtare elektronike.” – njofton KPK.

Ky vendim vjen pas një rritjeje në numrin e rasteve të reja ditore në vend dhe në numrin e viktimave. Komiteti i Ekspertëve i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë, dje vendosi që Universitetet të zhvillojnë mësimin vetëm online dhe konviktet të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *