Të paktën 20 persona humbën jetën dhe 786 të tjerë u plagosën si pasojë e tërmetit 6,6 ballë që ka goditur ujërat e Seferihisar të qytetit Izmir të Turqisë, njoftoi Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), transmeton Anadolu Agency (AA).
Të paktën 725 u plagosën në Izmir, ndërsa në provincat fqinje, 5 persona u plagosën në Manisa, dy në Balıkesir dhe 54 në Aydın.
Nga agjencia gjithashtu njoftuan se pas tërmetit u regjistruan të paktën 244 tronditje më të vogla pasuese, 24 prej të cilave ishtin mbi 4,0 ballë.
Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar në 4 ndërtesa në Izmir, ndërsa puna vazhdon në 13 të tjera.
AFAD njoftoi se tërmeti ndodhi në ora 14:51 sipas kohës lokale në një thellësi prej 16,54 kilometrash.
Më herët, guvernatori i Izmirit, Yavuz Selim Köşger, tha se tërmeti shkaktoi një mini-cunami në qarkun bregdetar Seferihisar, ku mbeti i plagosur të paktën një person.
Nga AFAD thonë se mbi 450 automjete dhe mbi 3.200 punonjës u dërguan në vendin e ngjarjes, bashkë me 20 qenë nuhatës.
Gjysmëhëna e Kuqe Turke gjithashtu dërgoi 79 punonjës, 70 vullnetarë, 17 automjete dhe 5 kuzhina të lëvizshme që kanë kapacitetin për të shërbyer mbi 25 mijë persona.
AFAD gjithashtu bëri të ditur se 960 çadra, 4.500 batanije dhe 3.672 shtretër u dërguan në rajon.
Gjithashtu u bë e ditur se ndihma emergjente prej 5 milionë lirash turke (rreth 600.000 dollarë) u dërguan në rajon nga Ministria e Familjes, Punës dhe Shërbimeve Sociale, si dhe 3 milionë lira turke (rreth 360.000 dollarë) u mundësuan nga AFAD.
AFAD njoftoi se më vonë, një tërmet tjetër 5,1 ballë goditi Detin Egje, 20 kilometra larg rrethit Kuşadası të provincës turke Aydin.