Përkeqësimi i situatës së pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi ka bërë që autoritetet të ashpërsojnë masat për parandalimin e përhapjes së tij duke dalë në terren për të kontrolluar respektimin e tyre.
Vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i shoqëruar nga drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, mbrëmjen e djeshme inspektoi shërbimet e Policisë së kryeqytetit, për të parë nga afër zbatimin e masave dhe punën që po bën Policia në këtë drejtim.
Veliu ka theksuar gjatë komunikimeve me punonjësit e Policisë në terren se duhet një impenjim më i madh i Policisë në fundjavë, duhet të ushtrohen kontrolle të herëpashershme në lokale dhe kontrolle të pandërprera në sheshe, bulevarde, parqe e në çdo ambient publik dhe duhet ndëshkuar me gjobë cilindo që nuk respekton masat dhe protokollet e sigurisë.
Duke marrë parasysh festën e Halloëeen-it, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar të gjitha strukturat në të gjitha qarqet që të marrin masa për të mos lejuar organizime e festime, pasi janë burim potencial për të përhapur virusin COVID-19.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, janë vendosur 85 masa me vlerën 3.000 lekë secila për të rinjtë që qarkullonin pa respektuar distancimin social dhe pa vendosur maskë.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 u vendosën 3 gjoba me vlerë 1.000.000 lekë secila, për tre administratorë të lokaleve që gjatë kontrolleve pas orës 20:00, shërbimet e Policisë i kanë konstatuar me muzikë dhe pa respektuar protokollet e sigurisë.