Kancelari austriak Sebastian Kurz ka thënë se qeveria e tij nuk do e tolerojë ekstremizmin fetar. Deklarata e ti erdhi pasi dhjetëra të rinj turq thuhet se sulmuan një kishë në Vjenë.
Rreth 30 adoleshentë turq thuhet se kanë sulmuar Kishën Katolike të Shën Anton von Padova në Vjenë. Sipas raporteve të mediave lokale, të rinjtë bërtisnin ‘Allahu akbar’ ndërsa shkelnin stolat e kishës. Të rinjtë u shpërndanë pasi pastori thirri policinë.
Duke shkruar në Twitter pas ngjarjes, kancelari austriak tha se të gjithë të krishterët në vend duhet të jenë në gjendje të ‘ushtrojnë besimin e tyre lirshëm dhe të sigurt’.
“Ne do të vazhdojmë me vendosmëri luftën kundër Islamit politik dhe nuk do të tregojmë ndonjë tolerancë në këtë pikë.”
Askush nuk u lëndua gjatë incidentit dhe policia po shqyrton kamerat e mbikëqyrjes. Të rinjtë thuhet se u takuan më herët gjatë ditës në një shesh, ku thërrisnin ‘parulla islamike’ dhe hodhën fishekzjarre.