Vendosni fjalën kyçe....

Letra tronditëse e Kryepeshkopit katolik drejtuar presidentit amerikan Trump (E plotë)


Kryepeshkopi i Kishës Katolike, Carlo Maria Vigano, i është drejtuar me një letër të hapur presidentit amerikan Donald Trump.

I njohur si Nunci Apostolik që ka shërbyer në SHBA nga 19 tetori 2011 deri në 12 prill 2016, kryepeshkopi italian Vigano, u dorëhoq në vitin 2016 pasi mbushi 75-vjeç, gjë që e kërkon rregullorja.

Ai njihet si kritik i fortë i Papës Francesk ndërsa ka sinjalizuar disa nga skandalet që kanë prekur Vatikanin, që kanë të bëjnë me korrupsionin financiar dhe fshehjen e abuzimeve seksuale nga ish-kardinali, Theodore McCarrick.

Në letrën drejtuar shefit të Shtëpisë së Bardhë, Kryepeshkopi Vigano, e nis me paralajmërimin se fati i gjithë botës po kërcënohet nga një komplot global kundër Zotit dhe njerëzimit.

Më tej ai thekson se në këtë çast historik, forcat e së keqes janë rreshtuar në betejë kundër forcave të së Mirës.

Ndërsa vëren se sulmet po shumëfishohen nga ata që duan të shkatërrojnë bazën e shoqërisë duke renditur familjen natyrore, respektin ndaj jetës njerëzore, dashurinë për vendin, lirinë e arsimit dhe biznesit.

Vigano shton se krerët e kombeve dhe udhëheqësit fetarë po i drejtohen kësaj vetëvrasjeje ndërsa të drejta themelore të qytetarëve po mohohen në emër të një emergjence shëndetësore dhe se ajo po e zbulon veten për krijimi e një tiranie çnjerëzore të pafytyrë.

Ai vijon duke paralajmëruar për atë që e quan ‘Rivendosja e Madhe’. Kryepeshkopi shkruan më tej se qëllimi i saj është imponimi i një diktature shëndetësore me ndërhyrjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar që do kërkojë heqjen dorë nga prona private dhe respektimin e programit të vaksinimit kundër Covid-19 e Covid-21 të nxitur nga Bill Gates dhe bashkëpunëtorët e tij në kompanitë farmaceutike.

Vigano shton gjithashtu se ky plan pritet të aktivizohet mes fundit të këtij viti e tremujorit të parë të vitit 2021 e në këtë kuadër priten bllokime të mëtejshme me justifikimin e valës së dytë e të tretë të pandemisë.

Letra e Kryepeshkopit Vigano vijon duke treguar se ndërsa disa muaj më parë ata që flisnin kundër asaj që po zbatohej nën justifikimin e pandemisë Covid-19 quheshin teoricinë konspiracioni, tashmë çdo gjë e thënë prej tyre po zbatohet me hollësi.

Ai i drejtohet presidentit Trump duke i thënë se është ai që i kundërvihet ‘Deep State’ e sulmit të fëmijëve të errësirës duke e cilësuar kandidatin demokrat Joe Biden si armikun e racës njerëzore.

Sipas Viganos, Biden është një person që manipulohet nga Deep State, i kompromentuar nga skandalet dhe korrupsioni dhe do i bëjë SHBA-së atë që Papa Francesk po i bën Kishës Katolike, kryeministri Conte, Italisë, Macron-Francës, Sanchez-Spanjës e kështu me radhë.

Në fund të letrës, Vigano, shkruan se në këtë orë vendimtare, SHBA-ja është muri mbrojtës i atyre që mbrojnë globalizmin duke u lutur për fitoren e tij.

Letra e plotë

E diel, 25 tetor 2020

Solemniteti i Krishtit Mbret

Z. President,

Më lejoni t’iu drejtohem në këtë orë në të cilën fati i gjithë botës po kërcënohet nga një komplot global kundër Zotit dhe njerëzimit. Unë ju shkruaj si Kryepeshkop, si Pasardhës i Apostujve në SHBA. Unë po ju shkruaj mes heshtjes së autoriteteve civile dhe fetare. A mund t’i pranoni këto fjalë të miat si ‘zëri i atij që thërret në shkretëtirë’.

Siç thashë edhe në letrën që ju shkruajta në qershor, ky moment historik sheh forcat e së keqes të rreshtuara në një betejë kundër forcave të së Mirës; forcat e së keqes që duken të fuqishme dhe të organizuara teksa u kundërvihen fëmijëve të Dritës, të cilët janë të çorientuar dhe të paorganizuar, të braktisur nga udhëheqësit e tyre të përkohshëm dhe liderët shpirtërorë.

Çdo ditë i ndjejmë sulmet që shumëfishohen nga ata që duan të shkatërrojnë bazën e shoqërisë: familjen natyrore, respektin për jetën njerëzore, dashurinë për vendin, lirinë e arsimit dhe biznesit. Ne i shohim krerët e kombeve dhe udhëheqësit fetarë që i drejtohen kësaj vetëvrasjeje të kulturës perëndimore dhe shpirtit të saj të Krishterë, ndërsa të drejtat themelore të qytetarëve dhe besimtarëve mohohen në emër të një emergjence shëndetësore që po zbulon veten gjithnjë e më shumë si vegël e plotë për vendosje e një tiranie çnjerëzore pa fytyrë.

Një plan global i quajtur ‘Rivendosja e Madhe’ është në proces e sipër. Arkitekti i saj është një elitë globale që dëshiron të nënshtrojë gjithë njerëzimin, duke vendosur masa shtrënguese me të cilat kufizohen në mënyrë drastike liritë individuale dhe ato të popullatave të tëra. Në disa kombe, ky plan është aprovuar dhe financuar tashmë. Pas liderëve botërorë, të cilët janë bashkëpunëtorë dhe ekzekutues të këtij projekti skëterrë, ka personazhe të paskrupullt që financojnë Forumin Ekonomik Botëror dhe Ngjarjen 201, duke promovuar axhendën e tyre.

Qëllimi i ‘Rivendosjes së Madhe’ është imponimi i një diktature shëndetësore që synon vendosjen e masave liridashëse, të fshehura pas premtimeve joshëse për sigurimin e një të ardhmeje universale dhe anulimin e borxhit individual. Çmimi i këtyre koncesioneve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar do të jetë heqja dorë nga prona private dhe respektimi i një programi vaksinimi kundër Covid-19 dhe Covid-21 i promovuar nga Bill Gates me bashkëpunimin e grupeve kryesore farmaceutike.

Përtej interesave të mëdha ekonomike që motivojnë përkrahësit e ‘Rivendosjes së Madhe’, bërja me detyrim e vaksinës do shoqërohet nga kërkesa e një pasaporte shëndetësore dhe një ID dixhitale, me pasojë gjurmimin e kontaktit të popullatës në të gjithë botën. Ata që nuk i pranojnë këto masa do të mbyllen në kampe paraburgimi ose do të vendosen në arrest shtëpie dhe të gjitha pasuritë e tyre do konfiskohen.

Z. President, unë mendoj se ju jeni tashmë të vetëdijshëm se në disa vende ‘Rivendosja e Madhe’ do aktivizohet midis fundit të këtij viti dhe tremujorit të parë të vitit 2021. Për këtë qëllim, planifikohen bllokime të mëtejshme, të cilat do të justifikohen zyrtarisht nga një valë e dytë dhe e tretë e pandemisë.

Ju jeni të vetëdijshëm për mjetet që janë përdorur për të sjellë panik dhe për të legjitimuar kufizimet drakoniane të lirive individuale, duke provokuar aartificialisht një krizë ekonomike në gjithë botën. Në synimet e arkitektëve të saj, kjo krizë do të shërbejë për ta bërë adresimin e kombeve në ‘Rivendosjen e Madhe’ të pakthyeshme, duke i dhënë kështu goditjen e fundit një bote, ekzistencën e së cilës duan ta shkatërrojnë plotësisht.

Por kjo botë, Z. President, përfshin njerëz, afeksione, institucione, besime, kultura, tradita dhe ideale: njerëz dhe vlera që nuk veprojnë si robotë, nuk binden si makineri, sepse janë të pajisura me shpirt dhe zemër, sepse ata janë të lidhur së bashku nga një lidhje shpirtërore që tërheq forcën e saj nga lart, nga ai Zot që kundërshtarët tanë duan ta sfidojnë, ashtu siç bëri Luciferi.

Disa muaj më parë, ishte e lehtë të shpifej si ‘teoricienë konspiracioni’ ndaj atyre që denoncuan këto plane të tmerrshme, të cilat tani shohim se po kryhen deri në hollësitë më të vogla. Askush, deri shkurtin e kaluar, nuk do të kishte menduar kurrë që në të gjitha qytetet tona, qytetarët do të arrestoheshin thjesht sepse dëshironin të ecnin në rrugë, të merrnin frymë, të donin të mbanin biznesin e tyre të hapur, të donin të shkonin në kishë të dielën.

Megjithatë tani po ndodh në gjithë botën, madje edhe në Italinë e kartolinave, që shumë amerikanë e konsiderojnë si një vend të vogël magjepsës, me monumentet e saj antike, kishat, qytetet e saj simpatike, fshatrat e saj karakteristikë. Dhe ndërsa politikanët janë futur në bunkerë brenda pallateve të tyre duke shpallur dekrete si satrapë Persianë, bizneset po falimentojnë, dyqanet po mbyllen dhe njerëzit janë të penguar të jetojnë, të udhëtojnë, të punojnë dhe të luten.

Pasojat katastrofike psikologjike të këtij operacioni tashmë janë parë, duke filluar me vetëvrasjet e sipërmarrësve të dëshpëruar dhe të fëmijëve tanë, të veçuar nga miqtë dhe shokët e klasës, të cilëve u thuhet të ndjekin mësimin ulur në shtëpi të vetëm para një kompjuteri.

Në Shkrimet e Shenjta, Shën Pali na flet për ‘atë që i kundërvihet’ shfaqjes së misterit të paudhësisë, katekonit (2 Thesalonikasve 2: 6-7). Në sferën fetare, kjo pengesë ndaj së keqes është Kisha, dhe në veçanti papati; në sferën politike, janë ata që pengojnë vendosjen e Rendit të Ri Botëror.

Siç është tashmë e qartë, ai që zë Kolltukun e Pjetrit ka tradhëtuar rolin e tij që nga fillimi për të mbrojtur dhe promovuar ideologjinë globaliste, duke mbështetur axhendën e kishës, e cila e zgjodhi atë nga radhët e saj.

Z. President, ju keni deklaruar qartë se doni të mbroni kombin – Një Komb nën Zotin, liritë themelore dhe vlerat e panegociueshme që mohohen dhe luftohen sot. Jeni ju, i dashur President, që jeni ‘ai që i kundërvihet’ shtetit të thellë, sulmit përfundimtar të fëmijëve të errësirës.

Për këtë arsye, është e nevojshme që të gjithë njerëzit të binden për rëndësinë e zgjedhjeve të afërta: jo aq për hir të këtij apo atij programi politik, por për shkak të frymëzimit të përgjithshëm të veprimit tuaj që mishëron më së miri atë botë, botën tonë, të cilën ata duan ta shkatërrojnë me anë të bllokimit. Kundërshtari juaj është gjithashtu kundërshtari ynë: ai është Armiku i racës njerëzore, Ai që është ‘një vrasës që nga fillimi’ (Jn 8:44).

Rreth jush janë mbledhur me besim dhe guxim ata që ju konsiderojnë shpëtimin përfundimtar kundër diktaturës botërore. Alternativa është të votohet për një person që manipulohet nga shteti i thellë, i kompromentuar rëndë nga skandalet dhe korrupsioni, i cili do i bëjë SHBA-së atë që Jorge Mario Bergoglio po i bën Kishës, Kryeministri Conte-Italisë, Presidenti Macron-Francës , Kryeministri Sanchez-Spanjës e kështu me radhë.

Natyra e shantazhueshme e Joe Biden, ashtu si ajo e prelatëve të ‘rrethit magjik’ të Vatikanit, do ta ekspozojë atë që të përdoret në mënyrë të paskrupullt, duke lejuar që pushtetet e paligjshme të ndërhyjnë si në politikën e brendshme ashtu edhe në ekuilibrat ndërkombëtarë. Është e qartë se ata që e manipulojnë Biden tashmë kanë gati dikë më të keq se ai, me të cilin do ta zëvendësojnë sapo të krijohet mundësia.

E megjithatë, në mes të kësaj tabloje të zymtë, me përparimin e dukshëm të pandalshëm të ‘Armikut të Padukshëm’, shfaqet një element shprese. Kundërshtari nuk di të dojë dhe nuk e kupton se nuk mjafton të sigurosh të ardhura universale ose të anulosh hipotekat në mënyrë që të nënshtrosh masat dhe t’i bindësh të shenjohen si bagëtia.

Ky popull, i cili për shumë kohë ka duruar abuzimet e një pushteti të urryer dhe tiranik, po rizbulon se ka një shpirt; po kupton që nuk është i gatshëm të shkëmbejë lirinë e tij me homogjenizimin dhe shkatërrimin e identitetit të tij; po fillon të kuptojë vlerën e lidhjeve familjare dhe shoqërore, të lidhjeve të besimit dhe kulturës që bashkojnë njerëzit e ndershëm. Kjo Rivendosje e Madhe është e destinuar të dështojë sepse ata që e planifikuan atë nuk e kuptojnë se ka ende njerëz të gatshëm që dalin në rrugë për të mbrojtur të drejtat e tyre, për të mbrojtur të dashurit e tyre, për t’u dhënë një të ardhme fëmijëve dhe nipërve të tyre.

Çnjerëzimi nivelues i projektit globalist do të prishet fatkeqësisht përballë kundërshtimit të vendosur dhe të guximshëm të fëmijëve të Dritës. Armiku ka Satanin në krah, ai që di vetëm të urrejë. Por nga ana jonë, ne kemi Zotin e Plotfuqishëm, Zotin e ushtrive të mbledhura për betejë dhe Virgjëreshën Më të Shenjtë. “Nëse Zoti është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” (Romakët 8:31).

Z. President, ju e dini shumë mirë që në këtë orë vendimtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderohen si muri mbrojtës kundër të cilit është ndërsyer lufta e shpallur nga mbrojtësit e globalizmit. Kini besim te Zoti, të forcuar nga fjalët e Apostullit Pal: “Unë mund të bëj gjithçka në emër të Atij që më forcon” (Fil 4:13). Të jesh një instrument i Providencës Hyjnore është një përgjegjësi e madhe, për të cilën me siguri do të marrësh të gjitha hiret e shtetit që të duhen, pasi ato po luten me zjarr për ty, nga shumë njerëz që të mbështesin me lutjet e tyre.

Me këtë shpresë qiellore dhe sigurinë e lutjes time për ju, për Zonjën e Parë dhe për bashkëpunëtorët tuaj, me gjithë zemër po ju dërgoj bekimin tim.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Carlo Maria Viganò

Tit. Kryepeshkopi i Ulpianës

Ish-Nunci Apostolik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani

*Letrën e plotë e lexoni Këtu


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *