Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka vendosur përdorimin e teknologjisë në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Kjo nënkupton se identifikimi i votuesve në qendrat e votimit në vend do bëhet nëpërmjet pajisjeve elektronike.
Vendimi është votuar njëzëri, ndërsa ka qenë një nga kërkesat e opozitës jashtëparlamentare.
Në njoftimin zyrtar tuhet se pajisjet do vendosen në çdo qendër votimi dhe do sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve.
Njoftimi
“Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në çdo qendër votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje. SEIV duhet të ofrojë të gjitha modulet e nevojshme “software” si dhe pajisjet “hardware” që do të mundësojnë menaxhimin e listës së zgjedhësve dhe të dhënat e votuesve, menaxhimin e pajisjeve elektronike të identifikimit, si dhe të kryqëzimit të të dhënave të identifikimit të të gjitha pajisjeve elektronike të identifikimit pas përfundimit të votimit, për të gjurmuar votimin e të njëjtit zgjedhës më shumë se një herë në të njëjtën qendër votimi, në më shumë se një qendër votimi dhe/ose në emër të zgjedhësve te tjerë. Procesi i identifikimit elektronik duhet të përfshijë të njëjtat parime identifikimi sikurse kryhet në kushte manuale, dhe nuk duhet të ndryshojë thelbësisht apo të zgjasë a vështirësojë procesin e identifikimit të zgjedhësve. Vendimi i miratuar nga Komisioni Rregullator përcakton një sërë karakteristikash teknike të sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit që do të përdoren në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë”.