Të marrësh një abone për transportin publik në Kamëz është shndërruar në një sfidë me të cilën qytetarët përballen çdo fillim muaji prej kohësh.
Në foton e shpërndara në rrjetet sociale nga ATA një organizatë lokale në Kamëz shihen qytetarë të cilët presin në radhë për të marrë një abone.
Një cikël ky që përsëritet çdo muaj që qytetarëve i kushton kohë dhe nerva për të përballuar këtë problamatikë për të cilën kompania që ka lejen e transportit urban në këtë qytet nuk e ka zgjidhur prej kohësh.
Në këtë kohë, qytetarët u duhet të përballen edhe me frikën e transmetimit të infeksionit të koronavirusit për shkak se distanca fizike në tentativë për të marrë një abone është e pamundur të ruhet.
“Kjo është radha e qytetarëve të Kamzës tek dispeçeria e transportit publik teksa tentojnë të marrin abonenë e muajit nëntor. Janë me mijëra punëtorë që jetojnë në Kamëz, por që janë të detyruar të punojnë në Tiranë dhe për ta është e domosdoshme të kursejnë sa më shumë në shpenzime rruge. Çdo fund muaji, prej vitesh, ata përballen me të njëjtën situatë: orë të gjata në radhë dhe frikë e tmerr se mos abonetë mbarohen dhe nuk ka më për të gjithë. “Shpresa-al” ka qenë ndër linjat e pakta që gjatë muajit shtator nuk ka nxjerrë abone, duke na shkaktuar ne qytetarëve shpenzime transporti të rënda për xhepat tona, si mënyrë krejt e padrejtë për të nxjerrë fitimet e munguara gjatë pandemisë. Sakaq, kjo ndërmarrje tregtare e cila na e ngulfat imazhin dhe reklamat e saj çdo ditë në ekranet e urbaneve të zatetur plot e përplot me nxënës, studentë, punëtorë nuk ia del të ofrojë në kohë, pa krijuar radhë të panevojshme një ndër shërbimet e saj bazike siç është ai i shitjes së aboneve. Ankthit të trafikut, vonesës, rrugës së gjatë, i shtohet dhe pamundësia për të marrë një shërbim të dinjitetshëm që në orët e mëngjesit”-denoncon ATA.