Ish-deputeti i PD-së, Salianji, ka thënë mbrëmjen e sotme se Kodi Zgjedhor i miratuar nga PS-ja në Kuvend nuk e rrezikon opozitën jashtëparlamentare por dëmton rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.
I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24, demokrati theksoi se me votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, kryeministri Rama shkeli marrëveshjen e 5 qershorit.
“Sa e rriskuar ndihet opozita? Aspak, zero. Në këtë situatë është e rriskuar Shqipëria. I rriskuar është Edi Rama për përplasje me faktorin ndërkombëtar. Të rriskuara janë dhe partitë e reja. Nuk ka frymë, nuk ka taktikë elektorale, qëndrim të Edi Ramës që e ndal rotacionin dhe ndryshimin e pritshëm.” – tha Salianji.
Më tej demokrati shtoi se Rama nuk ka më energji dhe as program për të marrë mandatin e tretë duke qenë se nuk ka bilanc.
“Edi Rama është shterpë dhe pa energji pa vazhduar një mandat të tretë dhe nuk ka bilanc. Gjithë fjalimi i Ramës ishte se çfarë thotë Basha, çfarë thotë Ilir Meta, Monika Kryemadhi etj, duke mos u marrë me problemet reale të qytetarëve. PS nuk ka asnjë ide për t’u ballafaquar. Kjo tregon degradimin e Ramës, merret me persona dhe jo me ide. Edi Rama merret me çfarë bën PD-ja.” – shtoi Salianji.
Ai theksoi në fund se koalicioni i madh opozitar do e rrëzojë Ramën nga pushteti. Lidhur me partitë e reja Salianji tha se ato po përpiqen të përçajnë PD-në në vend se të ndihmojnë në rrëzimin e Ramës nga pushteti.
“Askujt nuk mund t’i hiqet e drejta të krijojë parti, por idetë e personave që kanë krijuar parti i keni parë që nuk kanë qenë njësh me PD-në. Më e ndershme është të formohet fronti i përbashkët opozitar sesa të mundohesh të përçash PD-në. PS do të humbë vota, ndërsa partitë e reja varet për arsyet pse janë krijuar partitë e reja. Do të jetë koalicioni më i madh opozitar që do të përballet me Ramën.” – theksoi Salianji.