Holanda e ka zyrtarizuar qëndrimin e saj për sa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë. Ajo ka vendosur për mosmbajtjen e tryezës së parë ndërqeveritare të parashikuar për në muajin dhjetor duke e cilësuar atë të parakohshme.
Qeveria holandeze ka dhënë dritën jeshile për Maqedoninë e Veriut ndërsa përsërit listën e kushteve që Shqipëria nuk i ka përmbushur duke përfshirë reformën zgjedhore.
Sipas dokumenteve zyrtare që mbajnë firmën e ministrit të Jashtëm të Holandës, Blok, thuhet se Amsterdami do e japë votën e saj vetëm pas përmbushjes bindshëm të kushteve të vendosura nga KE-ja, raporton Klan Plus.
Në materialin shoqërues thuhet se dialogu politik në Shqipëri duhet të përmirësohet, sidomos në fushën e reformës zgjedhore dhe zbatimin e saj.
Sipas Holandës, në Shqipëri nuk ekziston ende kuorumi i nevojshëm për të bërë funksionale Gjykatën Kushtetuese. Problematike mbetet gjendja edhe në Gjykatën e Lartë, vlerëson Amsterdami zyrtar.
Qeveria holandeze pret që qeveria shqiptare të ndërmarrë hapa të qëndrueshëm në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin përfundimtar për korrupsion dhe krim të organizuar në të gjitha nivelet.
Numri i dënimeve të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet ende i kufizuar sipas Holandës e po kështu edhe ai i zyrtarëve të nivelit të mesëm e të ulët.
Po kështu në vendimin e qeverisë holandeze përmendet ligji i medias, që duhet përafruar me standartet europiane si dhe ulja e numrit të azilkërkuesve dhe riatdhesimi i shtetasve shqiptarë.