Para tre vitesh, ajo mbajti një fjalim të fortë në Kuvend, duke folur për jetën e vështirë në fshatin e saj në Mirditë.
Gjatë fjalës së mbajtur në 1 tetor 2017, Rigerta Loku Tushaj, u përlot ndërsa kërkoi më shumë investime në fshatin e saj por edhe fshatrat e vendit.
E kthyer nga Italia, ajo hapi një fermë dhish ndërsa kërkoi rrugë e ujë duke kritikuar ashpër deputetët e pranishëm në seancë.
Sot ajo ka vendosur të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Siç shkruan ajo në faqen e saj në Facebook, vendimin e ka marrë pas kërkesave të shumë personave pranë saj.
Edhe pse nuk e shpjegon se me cilën forcë politike ka vendosur të garojë, nga postimi i saj mund të nënkuptohet se do jetë kandidate e pavarur.
Loku ka mbaruar studimet në unversitetin ‘La Sapienza’ në Romë ndërsa pas kthimit në Shqipëri ka hapur një fermë dhish.
Në zgjedhjet e vitit 2013, Rigerta Loku Tushaj, ka garuar për partinë Fryma e Re Demokratike të Bamir Topit, ku ka qenë e treta në listë. Bashkë e kandidatët e tjerë të FRD-së, ajo mori 280 vota në ato zgjedhje.
“Pas shumë ftesash e kërkesash të njerëzve të mirë, dua të ndaj me ju vendimin për tu angazhuar në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Është e vështirë, por ndjej përgjegjësinë për të qënë një zë i lirë. Mos harroni për asnjë moment se jeni JU motivi dhe forca ime! Me konsideratë, Gerta.” – shkruan ajo në Facebook.