Kryeministri Edi Rama, ka shpërndarë një video sot nga Vermoshi. Ai thotë se një zonë turistike është ndërtuar në këtë vend, që sipas tij nuk ka asnjë ndryshim nga Zvicra e Austria.
Ai ka vlerësuar me nga një medalje katër sipërmarrësit, duke u thënë se kanë ndërtuar një mrekulli.
“Gjithçka është bërë me shije të jashtëzakonshme. Çdo gjë është perfekte. Kjo është fantastike. Nuk ka asnjë ndryshim nga Zvicra e Austria. E kanë qarë. Jam i lumtur nga kënaqësia që më ka dhënë ky investim këtu. Zona turistike e Vermoshit nuk m’u duk si reale. Keni bërë një investim këtu privat, një shembull i jashtëzakonshëm i vizionit për të parë larg dhe shembull i respektit për traditën e kthyer në objekte bashkëkohore, por mëshirojnë elementët tradicionalë.
Gjithë zona malore e Shqipërisë do zhvillohet gjithmonë e më shumë. Keni vendosur një gur themeli për vizion tjetër, nuk asgjë mangët nga shembujt më të famshëm të turizmit malor të vendeve në Europë. Dua t’ju jap medalje të veçantë. E meritoni plotësisht këtë medalje”, deklaroi Rama.
Sipërmarrësit e vlerësuar me medalje janë Nikë Kulla, Pllumb Demaj, Dodë Lucaj e Niko Maraçaj, të kthyer nga emigracioni, sipërmarrës të vegjël të zonës. Ata kanë realizuar vizionin e katër bujtinave alpine, që kryeministri thotë se duken si “kartolina të gjalla nga Zvicra”.