Një person i tretë ka humbur jetën jo si pasojë e sëmundjes për të cilën ishte shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, por sepse është hedhur nga lartësia.
Pacienti i identifikuar si Preng Gjonaj (52 vjeç) i ka dhënë fund jetës mëngjesin e sotëm rreth orës 03:10 për arsye që ende nuk dihen. Ai ishte i shtruar për shkak se ishte i prekur nga Covid-19.
“Më datë 01.11.2020, rreth orës 03 :10, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një spitali shtetasi P.Gj., 52 vjeç dhe për pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor dhe sherbimet e Policisë vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi sot policia.
Ky është rasti i tretë që një pacient me koronavirus hidhet nga lartësia në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Rasti i parë ndodhi më 13 gusht një i ri në gjendje të rënduar psikologjike u hodh nga ky spital dhe fatkeqësisht ndërroi jetë. 29-vjeçari Xhino Koça ishte shtruar pasi ishte infektuar me koronavirus.
Rasti i dytë ishte Hasan Mira, 65 vjeç, i cili më 2 shtator u hodh nga spitali “Shefqet Ndroqi” ku gjithashtu ishte shtruar me koronavirus./Hashtag.al