Vendosni fjalën kyçe....

Studimi: Disa të mbijetuar të Covidit zhvillojnë antitrupa që sulmojnë trupin, jo virusin


Një studim i ri ka zbuluar se disa persona që e kanë kaluar Covidin, kanë shfaqur shenja shqetësuese të sistemit të tyre imunitar që kthehet kundra vetes, duke të kujtuar sëmundje si lupusi dhe artriti reumatoid.

Siç shkruan New York Times, sipas studimit në fjalë, në një moment sistemi i mbrojtjes së trupit tek këta pacientë u kthye në sulm ndaj vetes, në vend që të kthehej kundër virusit.

Pacientët po prodhojnë molekula të quajtura “autoantitrupa” që synojnë materialin gjenetik nga qelizat njerëzore, në vend të virusit.

Ky reagim i gabuar mund të përkeqësojë pacientët në gjendje të rëndë me Covid-19. Mund të shpjegojë gjithashtu pse disa kanë probleme të zgjatura me muaj edhe pasi virusi është zhdukur nga trupat e tyre.

Gjetjet mbartin implikime të rëndësishme për trajtimin: Duke përdorur teste ekzistuese që mund të zbulojnë auto-antitrupa, mjekët mund të identifikojnë pacientët që mund të përfitojnë nga trajtimet e përdorura për lupusin dhe artritin reumatoid. Nuk ka shërim për këto sëmundje, por disa trajtime ulin frekuencën dhe ashpërsinë e shpërthimeve.

“Është e mundur që ju mund të godisni më shumë pacientët e duhur me disa nga këto barna më agresive dhe të prisni rezultate më të mira”, tha Matthew Woodruff, një imunolog në Universitetin e Emory-s në Atlanta dhe autor kryesor i studimit.

Rezultatet u raportuan të premten në serverin paraprak të MedRxiv dhe nuk janë botuar ende në një revistë shkencore. Ekspertë të tjerë thanë se studiuesit që kryen studimin janë të njohur për punën e tyre të kujdesshme dhe të përpiktë dhe se gjetjet nuk janë të papritura sepse sëmundje të tjera virale gjithashtu shkaktojnë auto-antitrupa.

“Unë nuk jam i befasuar, por është interesante të shoh se po ndodh vërtet”– tha Akiko Iwasaki, një imunolog në Universitetin e Yale. “Është e mundur që edhe sëmundja e moderuar deri e lehtë mund të shkaktojë këtë lloj përgjigje të antitrupave.”

Për këtë studim, hulumtuesit ndoqën 52 pacientë brenda sistemit të kujdesit shëndetësor të Emory-t në Atlanta, të cilët ishin klasifikuar si me Covid-19 të rëndë ose kritik, por që nuk kishin histori të çrregullimeve autoimune.

Ata gjetën autoantitrupa që njohin ADN-në në gati gjysmën e pacientëve. Ata gjithashtu gjetën antitrupa kundër një proteine ​​të quajtur faktor reumatoid dhe të tjera që ndihmojnë në mpiksjen e gjakut. Mes gjysmës së pacientëve më të sëmurë rëndë, mbi 70% kishin autoantitrupa.

Nëse autoantitrupat rezultojnë afatgjatë, mund të rezultojnë në probleme të vazhdueshme, madje edhe gjatë gjithë jetës, për të mbijetuarit e Covid-19.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e New York Times / Përshtati në shqip me shkurtime Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *