Mëngjesin e sotëm një pacient i prekur nga Covidi u hodh nga dritarja e katit të katërt në spitalin “Shefqet Ndroqi”, duke i dhënë fund jetës në mënyrë tragjike.
Por ky është një rast i përsëritur brenda një periudhe të shkurtër prej 3 muajsh, duke ngritur shqetësime të mëdha lidhur me atë që ndodh brenda këtij spitali.
Rasti i parë
Rasti i parë ndodhi më 13 gusht, kur një i ri në gjendje të rënduar psikologjike u hodh nga ky spital dhe fatkeqësisht ndërroi jetë. 29-vjeçari Xhino Koça ishte shtruar pasi ishte infektuar me koronavirus.
Xhino vinte nga një familje mjaft e njohur në Durrës. Ai ishte djali stilistes së VIP-ave, Lira Koça dhe kryetarit të Njësisë Administrative nr.2, Leonard Koça, si dhe nipi i humoristit të njohur Roland Koçës.
Ditë pas vdekjes së tij, mikesha e të riut Ingrid Kau tregonte se ndryshe nga sa u përshkrua Xhino Koça nga mediat, ai ishte mjaft miqësor dhe aspak i mbyllur në vetvete.
Por në ditët e tij të fundit kishte nisur të tregonte një sjellje më të distancuar me miqtë e tij për shkak të frikës dhe ankthit që e kishte kapluar në spital.
Rasti i dytë
Rasti i dytë ishte Hasan Mira, 65 vjeç, i cili më 2 shtator u hodh nga spitali “Shefqet Ndroqi” ku gjithashtu ishte shtruar me koronavirus.
Vetëvrasja e Mirës zbuloi se spitalet ku trajtohen të sëmurët me Covid, nuk e lejojnë përdorimin e telefonit celular nga pacientët, pasi ai vetë e përdorte celularin fshehtas pasi kishte paguar para për ta futur brenda.
Viktima i cili ishte vjehrri i deputetit Gjetan Gjetani, në një bisedë me mesazhe me fqinjin e tij, shprehej i tronditur nga ajo që ka parë në këtë spital. Por ai nuk e specifikonte se çfarë kishte parë.
Ai shprehej se nuk do të ishte shtruar kurrë nëse do ta dinte se çfarë ndodhte aty.
“Po ta dija se çfarë bëhet në spital, nuk do kisha ardh me u shtru… Shyqyr që jam mirë e mos ardhsha më në këtë vend. Po e mbyll telefonin se e mora për 5 minuta, nuk ma lënë më, më rri një person më vëzhgon te koka tani që po flas.” – i thoshte ai fqinjit.
Rasti i tretë
52-vjeçari Preng Gjonaj ishte prej gati një jave i shtruar në këtë spital, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar për shkak të COVID-19.
Pacienti nga Tropoja nuk duroi dot më dhe u hodh nga dritarja e dhomës së tij në katin e katërt.
Në këtë repart shtrohen pacientët rëndë. Dyshohet se vetëvrasja është kryer në kushte të rënduara psikologjike për shkak të koronavirusit, ndërkohë që Gjoni më parë nuk ka vuajtur nga probleme të shëndetit mendor.
Këto raste kanë ngritur shqetësime mbi atë çfarë ndodh brenda spitaleve të Covid-it, veçanërisht tek “Shefqet Ndroqi”, pasi të gjitha rastet janë regjistruar në këtë spital.
Opozita vazhdimisht u ka kërkuar autoriteteve që të impenjohen seriozisht dhe të kenë një plan konkret për të trajtuar rëndimin e gjendjes psikologjike për shkak të izolimit. Po ashtu vazhdimisht ka denoncuar se asnjëri nga dy spitalet e Covidit nuk ka psikolog, gjë e cila është mohuar nga qeveria.
Pse po vetëvriten pacientët tek “Shefqet Ndroqi”?
Në muajin shtator, Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë reagoi lidhur me dy vetëvrasjet tek spitali “Shefqet Ndroqi”, duke renditur arsyet se përse këto incidente kishin ndodhur.
Shoqata e Infermierëve theksonte se stafet mjekësore kanë mbingarkesë në punë dhe shohin çdo ditë ngjarje nga më të ndryshmet, ndërsa bënte thirrje për vendosjen e një shërbimi psikologu për pacientët dhe për mjekët e infermierët në dy spitalet e Covid.
Pesë arsye rendiste Shoqata e Infermierëve:
- Nuk mund të ketë shërbim cilësor ndaj pacientëve për shkak të mungesës së stafit mjekësor.
- Mungesa e shërbimit të punonjësit social dhe psikologut.
- Izolimi total ndaj familjarëve duke mos i lejuar asnjë formë kontakti me ta krijon stres psikologjik tek këta pacientë.
- Përdorimi pa kriter i disa mjekimeve ose krijon hemoragji tek pacientet ose krijon tromboemboli tek ata.
- Kur një pacient ndërron jetë mbahet në të njëjtën dhomë me pacientin tjetër deri në momentin që merret nga mjekësia ligjore. Pacienti pëson shok psikologjik duke qëndruar në një dhomë një person që ka ndërruar jetë.
Të gjitha këto jepen nga Shoqata e Infermierëve si arsye që i çojnë pacientët drejt vetëvrasjes, ndërsa paralajmëronte se edhe mjekët mund të përjetojnë po të njëjtin stres dhe shok nga puna në kushtet e vështira./ Hashtag.al