Vendosni fjalën kyçe....

U hodh nga dritarja e katit të 4-t tek “Shefqet Ndroqi”, pacienti kishte një javë i shtruar

Të tjera detaje zbardhen nga ngjarja e rëndë që ndodhi sot në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku një pacient i tretë i prekur nga koronavirusi u hodh nga lartësia.

52-vjeçari Preng Gjonaj prej gati një jave ishte i shtruar në këtë spital, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar për shkak të COVID-19.

Pacienti nga Tropoja ishte i shtruar në katin e katërt dhe është vetëhedhur nga dritarja e dhomës së tij. Në këtë repart shtrohen pacientët rëndë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:10 të mëngjesit dhe ishin mjekët ata që njoftuan policinë, e cila sekuestroi kartelën e viktimës në kuadër të hetimeve.

Dyshohet se vetëvrasja është kryer në kushte të rënduara psikologjike për shkak të sëmundjes, ndërkohë që Gjoni më parë nuk ka vuajtur nga problem të shëndetit mendor.

Ky është rasti i tretë që një pacient me koronavirus hidhet nga lartësia në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Rasti i parë ndodhi më 13 gusht një i ri në gjendje të rënduar psikologjike u hodh nga ky spital dhe fatkeqësisht ndërroi jetë. 29-vjeçari Xhino Koça ishte shtruar pasi ishte infektuar me koronavirus.

Rasti i dytë ishte Hasan Mira, 65 vjeç, i cili më 2 shtator u hodh nga spitali “Shefqet Ndroqi” ku gjithashtu ishte shtruar me koronavirus. Ngjarjet e rënda kanë ngritur diskutime mbi rëndësinë e ndihmës së psikologut ndaj pacientëve me koronavirus dhe kritika se përse këta shtrohen në kate të larta.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *