Studentët vijojnë protestën përpara Ministrisë së Arsimit pasi janë kundër zhvillimit të mësimit online. Nisur nga eksperienca e vitit të shkuar, studentët nuk e konsiderojnë efikas mësimin online, ndërsa shprehen edhe kundër marrjes së vendimeve të papritura siç qe ky i qeverisë për mësimin onlinë pak ditë para nisjes së vitit të ri akademik.
Kjo pasi ata kanë ardhur nga rrethet në Tiranë dhe kanë paguar edhe qiratë, shpeshherë kanë paguar edhe disa muaj paradhënie.
“Duke qenë se jam përfaqësues i Senatit të Studentit të UT po ju flas unë. UT mori vendimin që studentët të kishin mundësinë e zhvillimit të seminareve në auditor dhe leksioneve online.
Por kemi shumë studentë që vijnë nga rrethet dhe kanë paguar konviktet, qiratë, në disa raste edhe disa muaj paradhënie se kishin frikë se studentët do iknin, edhe mos të flasim për tarifat e shkollimit që janë shumë të larta. Asnjë konvikt dhe asnjë pronar shtëpie nuk t’i kthen lekët .
Nga eksperienca e vitit të shkuar, shumë studentë nuk kishin akses në mësimin online. Për më tepër ka shumë zona ku nuk ka mbulim internet e për shkak të saj mbeten të përjashtuar nga mësimi online.”– tha një nga përfaqësuesit e Senatit të UT-së.
Një student tjetër tregoi se vetë kishte paguar 3 muaj paradhënie qira.
“Po e kam paguar qiranë. Tre muaj paradhënie madje, se s’jemi të gjithë tironsa. Vijmë nga rrethet. I kemi paguar të gjitha, jemi bërë gati për mësim e në momentin e fundit qeveria na thotë se nuk do bëjmë mësim në auditore. Tani do rrimë kot në Tiranë? Ne duam të kthehemi në auditor. Të vazhdojmë mësimin në auditor. Nuk është online-i për ne. E provuam njëherë dhe nuk ia dolëm. Kemi shumë mangësi në mësime”– tregoi studentja e Infermierisë.
Pjesa më e madhe e studentëve i mbajnë maskat në fytyrë, mirëpo ka edhe ndonjë student tek tuk që nuk mban maskë. Një djalë pa maskë tha se nuk ka frikë se do marrë virusin dhe do infektojë familjarët, pasi më shumë frikë ka nga “injoranca”. “Nuk kam frikë. E vetmja gjë që kam frikë është injoranca. Vetëm nga kjo gjë kam frikë”– tha ai.
Ndërkohë forca të shumta policie janë vendosur përballë Ministrisë së Arsimit, ndërsa u bëjnë thirrje studentëve të shpërndahen pasi protesta e tyre konsiderohet e paligjshme. /Hashtag.al