Kryeministri Edi Rama publikoi këtë mëngjes një video nga kantieri i ngritur në qytetin e Laçit, ku pritet të ndërtohen 12 pallate me 524 apartamente të reja për qytetarët e mbetur pa banesa për shkak të tërmetit të 26 nëntorit.
“MIRËMËNGJES
dhe me kantierin e Rilindjes në Laç, ku zemra e qytetit po rizgjohet nga rrënojat e tërmetit, ju uroj një javë të mbarë”- shkruan Rama krahas videos.
Ndërkohë nuk ka vonuar një përgjigje e menjëhershme nga PD-ja. Shefi i Kabinetit dhe eksperti i ekonomisë në PD, Dorian Teliti, thotë se edhe pse ka kaluar gati një vit nga tërmeti, ende nuk ka asnjë shtëpi, shkollë apo spital të përfunduar në Laç.
Sipas tij kryeministri Edi Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim.
“ER nuk mbajti asnjë premtim.
Ai shfaqet në sheshet e ndërtimit me regjinë qëndrore të propagandës dhe sapo ai ikën nga sheshi i teatrit të propagandës largohen dhe fadromat për t’u zhvendosur në një shesh tjetër, atje ku propaganda nis shfaqjen e radhës.
Në Laç, një vit pas tërmetit, vetëm janë lidhur kontratat për banesat individuale dhe janë hedhur themelet.
Për godinat publike, është paraqitur një projekt në 3D por nuk ka asnjë zbatim dhe asnjë projekt nuk është prokuruar.
Nuk ka propagandë dhe regji qëndrore që mund të fshehë të vërtetën!”- shkruan Teliti i cili publikon një tjetër video, ku shfaqet kryeministri Edi Rama duke bërë premtime në dhjetor, e më pas jepet situata aktuale.