Shqipëria dhe Kosova, edhe më 2019-ën, u renditën ndër vendet e Europës që grumbullojnë më pak të ardhura buxhetore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Sipas të dhënave të Eurostat, vendet e BE-së vitin e kaluar grumbulluan mesatarisht 41.1% të ardhura të PBB-së, me një ulje të lehtë në raport me vitin 2018, kur ky tregues ishte 41.2%.
Irlanda (22.7%), Kosova (26.7%), Rumania (26.7), Zvicra (27.4%) dhe Shqipëria (27.4%) kishin rendimentin më të dobët fiskal.
Irlanda dhe Zvicra grumbullojnë më pak të ardhura, pasi ekonomia e tyre ka zhvilluar offshore-t, në të cilat aplikojnë norma më të ulëta tatimore se sa vendet e tjera të Europës që kanë një sistem tatimor klasik.
Grupi tjetër i vendeve që mbledhin më pak të ardhura të tilla si Shqipëria, Kosova dhe Rumania e kanë të ulët rendimentin fiskal, për shkak të dobësive në grumbullimin e të ardhurave dhe nivelit të lartë të informalitetit. Për më tepër, Shqipëria i përkeqësoi rezultatet më 2019, pasi të ardhurat në raport me PBB shënuan rënie me 0.2 pikë përqindje.
Shqipëria dhe Kosova gjithashtu kanë rezultatet më të dobëta në rajon. Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja i kishin të ardhurat në raport me PBB-në, përkatësisht 42.1%, 43.3%, 43.3% të tyre. Rezultatet fiskale në këto tre vende të Ballkanit ishin më të larta se mesatarja e BE-së, ndryshe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të cilat grumbullojnë të ardhura 13-15% më pak se fqinjët në rajon dhe vendet e BE-së.
Në vendet e BE-së, raporti më i lartë i taksave ndaj PBB-së ishte në Francë, Danimarkë dhe Belgjikë. Raporti tatim/PBB ndryshon ndjeshëm midis shteteve anëtare, me pjesën më të lartë të taksave dhe kontributeve sociale në përqindjen e PBB-së në 2019, duke u regjistruar në Francë (47.4%), Danimarkë (46.9%) dhe Belgjikë (45.9%), ndjekur nga Suedia (43.6%), Austria (43.1%), Italia (42.6%) dhe Finlanda (42.3%).
Në skajin e kundërt të shkallës, Irlanda (22.7%) dhe Rumania (26.8%), përpara Bullgarisë (30.3%), Lituanisë (30.4%) dhe Letonisë (31.3%) regjistruan raportet më të ulëta.
Rritja më e madhe e raportit tatim-PBB u regjistrua në Qipro, ulja më e madhe, në Belgjikë. Krahasuar me 2018, raporti i të ardhurave me PBB-në u rrit në dymbëdhjetë shtete anëtare në 2019, me rritjen më të madhe të vërejtur në Qipro (nga 33.5% në 2018 në 35.6% në 2019), përpara Danimarkës (nga 45.1% në 46.9%).
Në të kundërt, ulje u regjistruan në 13 shtete anëtare, veçanërisht në Belgjikë (nga 47.1% në 2018 në 45.9% në 2019), Greqi (nga 42.7% në 41.9%), Suedi (nga 44.4% në 43.6%) dhe Francë (nga 48.2% në 47.4%).
Në vitin 2019, të ardhurat nga kontributet neto përbënin pjesën më të madhe të të ardhurave nga taksat në BE (që zënë 14.2% të PBB-së), të ndjekura nga taksat mbi prodhimin dhe importet (13.7% të PBB-së) dhe taksat mbi të ardhurat dhe pasuria (13.0%).
Duke parë kategoritë kryesore të taksave, një larmi e qartë mbizotëron në të gjithë Shtetet Anëtare të BE-së. Në vitin 2019, përqindja e taksave mbi prodhimin dhe importet ishte më e larta në Suedi (ku ato përbënin 22.2% të PBB-së), Kroaci (20.3%) dhe Hungari (18.1%), ndërsa ishin më të ulëtat në Irlandë (7.8%), Rumani (10.7%) dhe Gjermani (10.9%).
Për taksat që lidhen me të ardhurat dhe pasurinë, pjesa më e lartë deri tani ishte regjistruar në Danimarkë (30.7% të PBB), përpara Suedisë (18.0%) dhe Luksemburgut (16.5%).
Në të kundërt, Rumania (4.8%), Bullgaria (5.5%) si dhe Kroacia dhe Hungaria (të dyja 6.6%) regjistruan taksat më të ulëta mbi të ardhurat dhe pasurinë, si përqindje e PBB-së. Kontributet shoqërore neto përbënin një pjesë të madhe të PBB-së në Gjermani (17.3%), Francë (16.8%) dhe Slloveni (16.0%), ndërsa pjesët më të ulëta u vunë re në Danimarkë (0.8% të PBB), Suedi (3.4%) dhe Irlandë (4.5%).
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al