Shtëpia e Bardhë ka akuzuar ekspertin kryesor të sëmundjeve infektive Anthony Fauci se po bën politikë disa ditë para zgjedhjeve, kjo pas një interviste që ai ka dhënë në lidhje me pandeminë e koronavirusit.
Dr Fauci i tha “Washington Post” se amerikanët kishin mbetur shumë të lënduar nga pandemia ndërsa bëri një krahasim mes presidentit Donald Trump dhe rivalit të tij demokrat Joe Biden.
Fauci tha se Bideni ishte “duke e marrë atë seriozisht nga një perspektivë e shëndetit publik”, ndërsa Z. Trump po e sheh “nga një këndvështrim tjetër … ekonomia dhe rihapja e vendit”.
Fauci tha se SHBA-ja kishte nevojë për të bërë një “ndryshim të menjëhershëm” në praktikat dhe sjelljet e shëndetit publik.
Por këto komente nuk janë pritur mirë nga Shtëpia e Bardhë, e cila akuzoi Dr. Fauci se po përpiqet të rrisë mbështetjen ndaj Bidenit.
Zëdhënësi Judd Deere tha se komentet e Faucit ishin “të papranueshme dhe shkelnin të gjitha normat”, citon BBC.
“Si një anëtar i Task Forcës së SHBA-së, Dr Fauci ka për detyrë të shprehë shqetësimet ose nxisë për një ndryshim në strategji, por ai nuk e ka bërë atë. Në vend të kësaj ka zgjedhur të kritikojë presidentin në media dhe të bëjë të njohura prirjet e tij politike duke lavdëruar kundërshtarin e presidentit”– shtoi ai në një deklaratë.