Pas mbledhjes së shtabit të PS-së, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike Taulant Balla ka folur për rastin e rëndë që ndodhi ditën e djeshme, ku një pacient me Covid-19 i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i spitalit.
Balla tha se raste të tilla kanë ndodhur edhe në vende të tjera. Ai tha se më keq i vjen që fatkeqësitë po përdoren nga politikanët për të bërë poliikë.
“Raste të tilla kanë ndodhur dhe në vende të tjera. Është një keqardhje e madhe dhe ngushëllime më të sinqerta familjarëve. Ajo që mua më vjen keq për përpjekjen e katër politikanëve të së keqes, që sot janë bashkë dhe në sytë e shqiptarëve, nga Berisha tek Meta, nga Luli tek Monika mundohen të përdorin fatkeqësinë për llumin e tyre politik.”- tha Balla.
Deputeti socialist bëri disa herë thirrje që kjo situatë alarmante nuk duhet të përdoret kurrsesi për politikë.
“Ka pasur një raportim të ecurisë të punëve tona. Ju e dini që në vëmendje janë edhe problematikat që ngrenë qytetarët për të cilat mbahet një evidencë për t’u dhënë zgjidhje problemeve në çdo cep të territorit.
Shpreh mbështetjen time dhe të kolegëve të mi për të gjithë bluzat e bardha të vendit, të cilët janë në krye të detyrës por kryesisht në qendrat ku po përballen me të sëmurët me Covid apo me asistencën që u ofrohet në familje përmes mjekëve të familjes të gjithë atyre shqiptarëve që po përballen me këtë armik të padukshëm por vrasës, t’u shpreh falenderimet më të sinqerta për një punë të shkëlqyer që po bëhet.
Përfitoj nga ky moment t’u bëj një thirrje miqësore politikanëve të së keqes që të heqin dorë nga politika djallëzore dhe fyerjet e padrejta që u bëjnë atyre që janë sot në krye të detyrës. Nuk bëhet politikë me fatkeqësitë. Nuk ka asnjë vend të Europës sot një opozitë aq djallëzore sa të bëjë politikë me pandeminë”- deklaroi Balla.