Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Stafi mjekësor më i pambrojturi, rrezikojnë përditë jetën


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me mjekë të familjes, ku ka ndarë shqetësimet me të cilat përballen çdo ditë kjo kategori punonjësish të sistemit shëndetësorë.

Sipas Bashës, stafi mjekësor është i pambrojtur dhe i rrezikuar dhe qendrat shëndetësore nuk kanë pajisjet minimale .

Basha vuri në dukje edhe testimet e pakta për epideminë dhe kohën e marrjes së përgjigjes për tampon.

Në një takim me mjekë të familjes u njoha me probleme shumë të rënda në administrimin e emergjencës shëndetësore, përkeqësuar dhe nga pandemia. Mjekët e familjes përballen të parët me të infektuarit me COVID-19, duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe të familjarëve të tyre.

Stafi mjekësor në të gjithë kategoritë spitalore është i pambrojtur dhe i rrezikuar. Qendrat shëndetësore nuk kanë as pajisjet minimale as për ekzaminimin e pacientëve dhe as për mbrojtjen e tyre të domosdoshme. Testimet janë të pakta. Tamponimi zgjat dhe përgjigjet e testimeve dalin kur s’kanë më vlerë për shëndetin e pacientëve. Vetëm pak ditë më parë mjekët e familjes kanë marrë protokollin anti-COVID-19, ndërkohë që kjo duhet të kishte ndodhur muaj më parë.

Qeveria e ka humbur kontrollin ndaj pandemisë. Mjekët ndanë shqetësimin se 20-30% e qytetarëve që paraqiten në qendrat shëndetësore janë të prekur nga COVID-19. Anashkalimi i spitaleve rajonale ka mbingarkuar tej çdo kapaciteti Tiranën. Mjekët kanë një ngarkesë të madhe. Çmimet e barnave për trajtimin nga COVID-19 janë të papërballueshme. Pothuajsë asgjë nuk rimbursohet, ndërsa një pjesë e ilaçeve mungojnë në treg.

Po kaq shqetësuese është dhe siguria e stafit mjekësor. Mjekët e familjes nuk pajisen me mjete mbrojtëse dhe as që bëhet fjalë për t’i shpërblyer për sakrificën e shtuar në përballimin e pandemisë.

Në kohën kur në vendet fqinje ka nisur testimi dhe marrja e rezultateve brenda 30 minutave, në Shqipëri numri i testimeve vazhdon të mbetet më i ulëti dhe koha e marrjes së përgjigjeve më e gjata në Europë.

Duke u ndalur tek masat urgjente që duhen marrë për të përballuar situatën e rënduar, mjekët më konfirmuan se është koha të rritet disa herë numri i testimeve dhe të pajisen qendrat shëndetësore me pajisjet bazë mjekësore, siç janë ato me matjen e oksigjenit në gjak etj.

Ndërkohë që situata po përkeqësohet është e domosdoshme mbështetja financiare për personelin shëndetësor, angazhimi i spitaleve rajonale dhe të mbulohet 100% e paketës së trajtimit në shtëpi për pacientët e prekur nga COVID”-deklaroi Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *