Duket se një valë e re sulmesh terroriste po rinis në Europë. Pas disa sulmeve në Francë përgjatë muajit të kaluar, mbrëmë dhe vjenezët kaluan një mbrëmje terrori.
Njerëz të armatosur kanë hapur zjarr në gjashtë lokacione të ndryshme mbrëmë në qendër të Vjenës, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur disa të tjerë.
Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti atë një “sulm të neveritshëm terrorist” dhe tha se policia vrau një nga të armatosurit. Ndërkohë Ministri i Brendshëm tha se policia është vënë në kërkim të të armatosurit të dytë.
Sulmi në Austri pason disa sulme të mëparshme që kanë ndodhur në Francë, pas të cilave kanë humbur jetën 4 njerëz të pafajshëm. I pari mësuesi francez Samuel Paty të cilit iu pre koka më 16 tetor si dhe tre qytetarë pranë Kishës së Notre Dame në Nisë.
Nga këto 3 sulme kanë humbur jetën gjithsej 7 qytetarë të pafajshëm (3 në Austri dhe 4 në Francë). Shto këtu terroristët e ekzekutuar nga policia, numri i viktimave shkon në 9.
Çfarë ndodhi në Vjenë?
Disa të shtëna me armë ndodhën afër sinagogës qendrore të Vjenës rreth orës 20:00 të hënën, por nuk është ende e qartë nëse ky objekt ishte shënjestra e sulmit.
Shefi i policisë së qytetit tha se dy burra dhe një grua u vranë. Mbi dhjetë njerëz të tjerë u plagosën. Një polic mbeti gjithashtu i plagosur me armë zjarri përpara se oficerët e tjerë të qëllonin autorin, i cili ishte i armatosur me një pushkë automatike, një pistoletë dhe një hanxhar. Një operacion i madh nisi për kapjen e të dyshuarve të tjerë, ndërsa qytetarëve iu kërkua të mbylleshin nëpër shtëpi dhe u ndërpre transporti publik.
Sulmi ndodhi vetëm disa orë para se Austria të vendoste kufizimet e reja kombëtare në përpjekje për të ndaluar rastet në rritje të koronavirusit. Shumë njerëz ishin duke shijuar momentet e fundit në bare dhe restorante, të cilat tani janë mbyllur deri në fund të nëntorit.
Në rrjetet sociale mbrëmë kanë qarkulluar disa video nga terrori që përjetuan vjenezët.
Në një video, të filmuar nga lart, një burrë i veshur me të bardha shihet duke zbritur në një rrugë me kalldrëm dhe duke shkrepur disa të shtëna. Dikush bërtet një sharje në anglisht dhe videoja përfundon me atë që tingëllon si një shpërthim i fortë. Më shumë pamje treguan një shkëmbim zjarri në Schëedenplatz, një shesh aty pranë përgjatë lumit Danub.
Vrasja e mësuesit në Francë
Një mësues historie, Samuel Paty, u ekzekutua në mënyrë makabre me prerje koke më 16 tetor nga një person i radikalizuar në rrethinat e Parisit.
Paty kishte treguar karikaturat e revistës “Charlie Hebdo” të Profetit Muhamed para studentëve gjatë një leksioni për lirinë e fjalës.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat” pavarësisht ngjarjes, ndërsa lejoi projektimin e tyre dhe në muret qeveritare. Kjo gjë nuk u prit mirë nga vendet me shumicë myslimane dhe një debat i madh u ngrit lidhur mbi “lirinë e fjalës” dhe “islamofobinë” në të gjithë botën.
Udhëheqësit në Turqi, Pakistan, Marok, Iran, Egjipt, Kuvajt, Jordan, Malajzi dhe Katar janë midis atyre që kanë kritikuar Macronin dhe kanë ndërmarrë veprime kundër Francës, përfshirë bojkotet kundër mallrave franceze.
Sulmi i armatosur në Nisë
Një sulmues që bërtiste “Allahu Akbar” i preu kokën një gruaje dhe vrau dy persona të tjerë në një kishë në Nisë të enjten e 29 shtatorit. Ky është sulmi i dytë vdekjeprurës me thikë në Francë brenda dy javësh.
Sulmi ndodhi në zonën e kishës Notre-Dame. Gazeta francize “Le Figaro” shkruante se trupi i një gruaje u gjet në ndërtesën fetare, ndërsa një grua e dytë kishte arritur të strehohej në një kafene aty pranë para se të humbte jetën. Një person i tretë, një burrë, gjithashtu vdiq nga plagët.
Policia bashkiake arrestoi autorin, i cili u dërgua në spital pasi ishte plagosur me armë zjarri. Ai është një 21-vjeçar nga Tunizia, i cili gjatë sulmit ishte veshur si në mesjetë ndërsa mbante në dorë një thikë të madhe si shpatë.
Deri tani lidhur me këtë sulm, policia ka gjashtë persona.
Kryeprokurori anti-terrorizëm i Francës ka thënë se i dyshuari për kryerjen e sulmit të Nicës kishte mbërritur në Evropë në 20 shtator në Lampedusa, ishulli italian pranë Tunizisë.
Hetuesit në Itali po hetojnë gjithashtu në lidhje me lëvizjet dhe kontaktet e sulmuesit të dyshuar në ishullin e Siçilisë. Ata besojnë se ai mund të ketë kaluar kohë atje pasi kishte shkuar nga Lampedusa në Bari në fillim të tetorit me një anije të përdorur për karantinën e migrantëve.
Para dy sulmeve të tetorit në Francë, një tjetër sulm pati ndodhur në muajin shtator. Dy persona u plagosën rëndë me thikë në Paris pranë ish-zyrave të revistës Charlie Hebdo, ku militantët islamikë kryen një sulm vdekjeprurës në 2015. Por ky rast nuk shënoi humbje jete./Hashtag.al