Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi këtë mëngjes ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliajn, lidhur me ndërtimin e shkollës “Sami Frashëri”.
Kryemadhi tha sot në një konferencë për mediat se për këtë shkollë nuk ka asnjë tender të hapur.
Ajo nxorri një kartelë që sipas saj tregon se shkolla “Sami Frashëri” në vitin 2017 u vendos t’i kalojë me vendim qeverie në pronësi Bashkisë së Tiranës. Por këtë vit del një listë pronarësh. Kryemadhi shton se Veliaj ka lejuar tjetërsimin e pronësisë së tokës ku ishte ngritur gjimnazi “Sami Frashëri” dhe bëri thirrje që për këtë rast të hetojë prokuroria.
“Unë për vete kam studiuar te “Petro Nini”, ajo është e vetmja shkollë që nuk i është prekur oborri. Sa i përket “Sami Frashërit” Monika ka thënë të vërtetën, nuk ka gënjyer. Në mars qeveria mori vendim që shkollën “Sami Frashëri” dhe një listë çerdhesh t’ja kalojë në pronësi Bashkisë së Tiranës, pas një periudhe të gjatë disa vjecare në 2020 regjistrohet prona më 24/4/2020 në pronësi të Bshkisë.
Ndërsa në datë 28/10/2020 e printojmë sërish ekstraktin dhe pronar nuk na del më Bashkia Tiranës, por një listë pronarësh. Se si është e vërteta këta ta gjejë Prokuroria. Unë faktet nxjerr, s’jam prokurore. Jashtë është varuar një tendë që thotë se kjo shkollë për studim dhe projektim do të kushtojë 5 milion euro pa tvsh, ne s’kemi NIPT ndërtimi, por ka njerëz të ndershëm në PS dhe qytetarë që faktojnë se shkolla s’është tenderuar dhe as është shpallur fituesi as për këtë studim tenderim. Thonë këta që shkolla është pjesë e fondit të rindërtimit që do financohet nga BE, por kjo nuk është fare në listën e shkollave që ka përcaktuar BE.
Monika Kryemadhi nuk gënjen, e mban fjalën, por midis Erionit e Ramës, qytetarët me zgjedhin mua. Ua shpëtova shkollën Samistëve, Ilirit, Lulëzimit, Ben Blushit. Se shkollën ua prishi, ua rrënoi Lali e aty rrezik do ndërtonte ndonjë qendër multifunksionale me kulla sipër siç e ka zakon. Kur guxon të ndryshojë pronësinë e “Sami Frashërit” imagjinoni çfarë bën me banorët në Kombinat, në Vorë e Shijak”,- u shpreh kryetarja e LSI-së duke treguar dokumentin për kamerat.
Por nuk ka vonuar shumë një përgjigje nga kryetari i Bashkisë Erion Veliaj. Ai ka publikuar dokumentet nga Kadastra ku vërtetohet se pronësia e shkollës “Sami Frashëri” është e Bashkisë së Tiranës. Veliaj ironizon kryetaren e LSI-së duke thënë se ajo duhet çuar për shpifje ose për mjekim.
“Dilema është, duhet çuar për shpifje apo për mjekim? Ja prona e “Sami Frashërit, boll u bëtë gazi i botës! Pastaj hani inat me popullin që s’ju voton! Si te lodrat, pazari, sheshi, kalaja – njësoj Samiu – do fshiheni nga turpi. Po ju dhe turpin e hani me bukë. Dilema eshte, duhet çuar per shpifje apo per mjekim?”, shkruan Veliaj.