Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është komentuar disa herë për qëndrimet e saj ndaj pandemisë, për shkak se është parë në disa takime pa maskë.
Në konferencën e sotme nga mediat, u pyet nëse është kritikuar nga presidenti Ilir Meta për këtë.
Zonja Kryemadhi tha se kryesorja në luftën ndaj virusit është higjiena personale dhe imuniteti i fortë. Por sipas saj qytetarët nuk mund të kenë imunitet të fortë nëse janë të kequshqyer.
“Sigurisht që kam marrë kritika nga presidenti, madje mban edhe distancë sociale sa i përket covidit. Presidenti është diplomuar për ekonomi politike, kryeministri ka mbaruar Institutin e arteve për vizatim. Unë kam mbaruar shkollën për bio-kimi dhe di të dalloj si mund të ruhesh nga një pandemi ose gjendje virale”, u shpreh Kryemadhi.
“Po të mos kesh frikë nga ujë, po të lahesh, të dezinfektohesh, të ruash distancimin, të ruash higjienën personale normale është e vështirë të kapësh virusin.
Çështja e covid është një çështje që ka të bëjë me imunitetin. Gjëja e parë është që luftohet covidi është një imunitet i fortë.
Shqiptarët nuk mund të kenë imunitet të fortë kur nuk kanë bukë të hanë. Tryezat e shqiptarëve nuk janë tryezat e olikargëve të Edi Ramës, nuk ushqejnë dot me bukë fëmijët e tyre dhe që të kesh një imunitet të fortë duhet të jesh i ushqyer mirë, që të ushqehesh mirë duhet të kesh një vend pune të mirë, që të kesh një vend pune të mirë duhet të kesh edhe pagë të mirëpaguar. Të dyja këto gjëra Rama me pandeminë i mbylli bizneset dhe i shkatërroi shqiptarët.
Gjëja kryesore që duhet të bëjë Zoti Rama…, mbajtja e maskës me rrugë nuk është se ja zvogëloi të sëmurët me Covid. Përkundrazi ia shtoi, nga 27 në ditë që kishte i shkuan 300. Nga ana tjetër, ilaçet e Covidit shkojnë 1 milionë lekë të vjetra. Kështu që ai s’ka nevojë të bëjë ndonjë salltanet të madh, tu paguajë paratë njerëzve dhe të kurohen nëpër shtëpi. E dyta të dezinfektojë shkollat. ”, u shpreh Kryetarja e LSI-së.