Presidenti Donald Trump (74 vjeç) dhe sfiduesi demokrat Joe Biden (77 vjeç) secili ka më shumë se shtatë dekada përvojë personale dhe profesionale pas vetes.
BBC ka mbledhur disa fotografi për të treguar jetët e tyre, në ditën kur amerikanët vendosin se cili prej tyre do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë për 4 vitet e ardhshme.
VITET E PARA
I lindur pas Luftës së Dytë Botërore, në qershor të vitit 1946, Donald John Trump ishte fëmija i katërt i manjatit të pasurive të patundshme në New York Fred Trump dhe Mary Anne MacLeod Trump.
Pavarësisht pasurisë së familjes, ai pritej të bënte punët më të ulta brenda ndërmarrjes së babait të tij dhe u dërgua në një akademi ushtarake në moshën 13-vjeç pasi filloi të sillej keq në shkollë.
Ai ndoqi Universitetin e Pensilvanisë dhe u bë i preferuari për të zëvendësuar babanë e tij në biznesin familjar pasi vëllai i tij i madh, Fred, vendosi të bëhej pilot.
Joseph Robinette Biden Jr lindi në Scranton, në Pensilvani në vitin 1942. Ai ishte më i madhi nga katër fëmijët, në një familje katolike Irlando-Amerikane. Sfida më e madhe e të riut Joe ishte belbësimi, vështirësia që kishte në të folur që e mundoi atë edhe në shkollë të mesme.
Biden ndoqi Universitetin e Delaware dhe më pas shkollën juridike në Universitetin e Sirakuzës. Ai më vonë u martua me gruan e tij të parë, Neilia, dhe filloi karrierën e tij politike në Wilmington.
Vitet 1970
Trump thotë se ai hyri në biznesin e pronave me një hua “të vogël” prej 1 milion dollarësh nga babai i tij, para se të bashkohej me kompaninë e Fred Trump. Atje, ai ndihmoi në menaxhimin e një portofoli të gjerë të pasurive të patundshme në New York City, duke marrë përfundimisht kontrollin e kompanisë. Në vitin 1971, ai e quajti atë Organizata Trump.
Gjashtë vjet më vonë, Donald Trump u martua me gruan e tij të parë, Ivana Zelnickova, një atlete dhe modele çeke. Fëmijët e tij nga martesa e tij e parë janë: Donald Jr, Ivanka dhe Eric – të cilët tani ndihmojnë në drejtimin e Organizatës Trump, megjithëse ai është ende shefi ekzekutiv.
Joe Biden mezi po priste të zinte vendin e tij në Senatin Amerikan, pasi ishte zgjedhur në vitin 1972, kur ndodhi tragjedia. Gruaja dhe vajza e tij e mitur Naomi u vranë në një aksident automobilistik. Djemtë e tij Beau dhe Hunter u plagosën rëndë.
Biden fitoi famë për shkak se e bëri betimin për mandatin e tij të parë si senator i Partisë Demokratike nga dhoma e spitalit e djemve të tij të vegjël.
Vitet 1980
Në fund të viteve 1970, Trump rriti ambiciet e tij me një ingranazh, duke zhvendosur fokusin e tij mbi pronat nga Brooklyn dhe Queens në Manhattan. Pasi shkatërroi një hotel të rrënuar dhe e shndërroi atë në Grand Hyatt, ai ndërtoi pronën e tij më të famshme- Kullën 68-katëshe në Fifth Avenue. Ajo u hap në vitin 1983.
Trump Tower pasoi prona të tjera që mbanin emrin e tij – Trump Place, Trump World Tower, Trump International Hotel dhe Tower – dhe marka e tij e fuqishme filloi të tërheqë interesin e medias.
Por jo gjithçka që preku Trump u kthye në ar. Sipërmarrjet e Trump-it kanë çuar në katër falimentime të biznesit.
Gjatë 14 viteve të tij të para në Uashington, Biden rindërtoi jetën e tij personale pas vdekjes së gruas dhe vajzës së tij. Ai u zotua t’u jepte bijve të tij një jetë normale dhe udhëtoi çdo ditë nga shtëpia e familjes në Delaware në Washington DC. Ai përfundimisht u martua përsëri, me mësuesen e shkollës Jill Jacobs, me të cilën ka një fëmijë tjetër, vajzën Ashley.
Biden u vendos në Komisionin Gjyqësor të Senatit dhe filloi të ndërtonte një profil kombëtar. Në vitin 1987, ai nisi tentativën e parë për presidencën e SHBA-ve, por u tërhoq pasi u akuzua për plagjiaturë. Ai u akuzua se kishte kopjuar një fjalim nga lideri i atëhershëm i Partisë Laburiste në Britani, Neil Kinnock.
Vitet 1990
Vetëm pronat e patundshme nuk ishtin të mjaftueshme për Trumpin. Ai organizoi disa konkurse bukurie në vitin 1996: Miss Universe, Miss USA dhe Miss Teen USA. Në jetën e tij personale, pasi u nda me Ivanën ai u martua me aktoren Marla Maples në vitin 1993.
Ata u bënë me një vajzë, Tiffany, para se të divorcoheshin në vitin 1999. Ky është i njëjti vit kur babai i tij vdiq.
“Babai im ishte frymëzimi im.”– tha Trump në atë kohë.
Senatorët Joe Biden dhe Ted Kennedy
Më 11 tetor të vitit 1991, publiku amerikan ishte ngjitur pas televizorit kur Anita Hill, një profesore juridike në Universitetin e Oklahoma-s po dëshmonte para Komitetit të Drejtësisë të Senatit.
Komiteti po zhvillonte një seancë dëgjimore për emërimin për Gjykatën e Lartë të SHBA-ve të Clarence Thomas. Zonja Hill pretendonte se ai e kishte ngacmuar seksualisht atë në shumë raste kur ata të dy kishin punuar për administratën e Reagan.
Si kryetar i komitetit, Joe Biden drejtoi seancën dëgjimore. Mënyra si ai i trajtoi provat e zonjës Hill është kritikuar prej kohësh.
Seanca u zhvillua nga një panel me burra dhe shumë gra të gatshme për të mbështetur zonjën Hill, por që nuk u thirrën nga Biden për të dëshmuar.
Duke folur në një intervistë televizive në prill të vitit 2019, Biden tha se atij i vinte “keq për mënyrën se si ajo u trajtua”.
Vitet 2000
Në vitin 2003, Trump u përball me një shfaqje të re televizive që luajti me reputacionin e tij si biznesmen ashtu edhe si personalitet mediatik. Quhet Nxënësi. Programi paraqiste kandidatë që garonin për një punë drejtuese në perandorinë tregtare të Trump-it.
Ai drejtoi shfaqjen për 14 sezone dhe pretendoi se ai ishte paguar gjithsej 213 milionë dollarë nga rrjeti televiziv gjatë drejtimit të emisionit.
Ndërkohë në vitin 2005, ai u martua me gruan e tij aktuale, Melania Knauss, një modele e lindur në Jugosllavi. Çifti kanë një djalë, Barron William Trump.
Biden mori një tjetër goditje në përpjekjet e tij për të marrë presidencën në vitin 2008 para se të largohej. Por ai duhej të rishfaqej më vonë atë vit në një rol që i siguroi famë ndërkombëtare. Më 23 gusht të vitit 2008, Obama e prezantoi Joe Biden si kandidatit për nënpresident.
Ishte një biletë fituese dhe dyshja përfundimisht shërbyen për dy mandate, duke krijuar një marrëdhënie të ngushtë pune dhe shpesh Biden e quante Obamën “vëllain e tij”.
Vitet 2010-të
Vetëm në qershor të vitit 2015, Trump njoftoi zyrtarisht hyrjen e tij në garë për Shtëpinë e Bardhë. Fushata e tij për presidencën u trondit nga polemikat. U rishfaq një regjistrim nga viti 2005 ku ai bënte vërejtje të pasjellshme për gratë dhe kishte pretendime, se ai nuk ishte i aftë për detyrën.
Por ai vazhdimisht i tha ushtrisë së tij të mbështetësve se ai do të sfidonte sondazhet e opinioneve, të cilat më së shumti favorizonin rivalen e tij demokrate Hillary Clinton.
Përkundër pothuajse të gjitha parashikimeve, Trump doli fitimtar në zgjedhjet e 2016-ës. Ai u përurua si presidenti i 45-të i SHBA-ve më 20 Janar 2017.
Në një ceremoni të befasishme në ditët e fundit të presidencës së tij, Obama i dha Biden-it Medaljen Presidenciale të Lirisë – nderin më të lartë civil të kombit.
“Të njohësh Joe Biden do të thotë të njohësh dashuri pa pretendime, shërbime pa vetë-respekt dhe të jetosh jetën plotësisht”– tha presidenti i atëhershëm.
Ishte një partneritet i suksesshëm, por një periudhë jo pa trauma për Biden-in, djali i të cilit Beau vdiq nga kanceri i trurit në vitin 2015 në moshën 46 vjeçare. Ai shihej si një yll në rritje i politikës amerikane dhe kishte ndërmend të kandidonte si Guvernator i shtetit të Delaware në vitin 2016.
2020
Fushata e rizgjedhjes së Trump po zhvillohet në një sfond të pandemisë së Covid-19, që ka marrë jetët e 230,000 amerikanëve. Madje vetë presidenti u infektua dhe u shtrua për tre ditë në spital.
Zonja e Parë Melania Trump dhe djali i tyre Barron gjithashtu e morën virusin, së bashku me një numër anëtarësh të stafit në Shtëpinë e Bardhë.
Në ditët para zgjedhjeve të 3 nëntorit, Trump u bëri thirrje shteteve amerikane të shmangin bllokimet ndërsa vijonte tubimet e tij.
Ndarjet e dy rivalëve presidencialë mbi koronavirusin kanë qenë të thella, me Biden që akuzon se mënyra se si presidenti e ka trajtuar krizën e pandemisë ka qenë një “fyerje” për viktimat e saj.
“Edhe nëse fitoj, do të duhet shumë punë e madhe për t’i dhënë fund kësaj pandemie”- tha ai. “Unë e premtoj këtë – ne do të fillojmë që ditën e parë duke bërë gjërat e duhura.”
Më shumë se 90 milion amerikanë kanë votuar, shumë prej tyre me postë, në një rritje record të votimeve.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC-së/ Përshtati në shqip Hashtag.al