Njerëz të armatosur kanë hapur zjarr në gjashtë lokacione të ndryshme mbrëmë në qendër të Vjenës, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur disa të tjerë.
Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti atë një “sulm të neveritshëm terrorist” dhe tha se policia vrau një nga të armatosurit.
Ndërkohë Ministri i Brendshëm tha se policia është vënë në kërkim të të armatosurit të dytë.
Të shtënat ndodhën afër sinagogës qendrore të Vjenës, por nuk është ende e qartë nëse ky objekt ishte shënjestra e sulmit.
Shefi i policisë së qytetit tha se dy burra dhe një grua u vranë. Mbi dhjetë njerëz të tjerë u plagosën.
Sulmi ndodhi vetëm disa orë para se Austria të vendoste kufizimet e reja kombëtare në përpjekje për të ndaluar rastet në rritje të koronavirusit. Shumë njerëz ishin duke shijuar momentet e fundit në bare dhe restorante, të cilat tani janë mbyllur deri në fund të nëntorit.
Çfarë dimë për sulmin?
Policia tha se incidenti filloi rreth orës 20:00 të hënën, pranë sinagogës Seitenstettengasse, kur një burrë i armatosur rëndë hapi zjarr ndaj njerëzve jashtë kafeneve dhe restoranteve.
Pjesëtarët e forcave speciale arritën shpejt në vendin e ngjarjes.
Një polic mbeti i plagosur me armë zjarri përpara se oficerët e tjerë të qëllonin autorin, i cili ishte i armatosur me një pushkë automatike, një pistoletë dhe një hanxhar.
Udhëheqësi i komunitetit hebre Oskar Deutsch shkroi në Twitter se sinagoga ishte e mbyllur në kohën kur filloi sulmi.
Policia mbylli rrugët afër Schwedenplatz në Vjenë. Një oficer që ruante sinagogën ishte midis të plagosurve, njoftoi gazeta Kronen Zeitung.
Nuk ishte menjëherë e qartë se sa sulmues kanë marrë pjësë në sulm. Mediat austriake raportuan se një person ishte arrestuar, duke cituar ministrinë e brendshme.
Pamjet e postuara në mediat sociale treguan njerëz duke vrapuar nëpër rrugë ndërsa krisnin të shtëna.
Dëshmitari Chris Zhao i cili ishte në një restorant kur filluan të shtënat i tha BBC-së: “Ne kemi dëgjuar zhurma që tingëllonin si fishekzjarre. Dëgjuam rreth 20 deri në 30 dhe kemi menduar që në të vërtetë ishin të shtëna me armë. Ne pamë ambulancat… duke u rreshtuar. Kishte viktima. Fatkeqësisht, ne gjithashtu pamë një trup shtrirë në rrugë pranë nesh “.
Policia në Republikën Çeke tha se po kryente kontrolle të rastësishme në kufirin me Austrinë nga frika se personi i armatosur mund të arratisej në atë drejtim.
Ministri i Brendshëm Karl Nehammer tha se sulmuesi ende i lirë ishte “i armatosur rëndë dhe i rrezikshëm”.
Ai tha në një konferencë shtypi se fëmijët në Vjenë nuk do shkojnë në shkollë të martën.