Vendosni fjalën kyçe....

5 shtetet që do vendosin shefin e ri të Shtëpisë së Bardhë


Kur në garë kanë mbetur edhe 86 vota për të përcaktuar fituesin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, pesë janë shtetet që do vendosin fatin e garës dhe që po konsiderohen si vendet e betejës për ekipet ligjore të presidentit Trump e rivalit demokrat, Biden.

Pensilvania, Miçigani, Uiskonsin, Xheorxhia dhe Karolina e Veriut do vendosin se cili do ulet në Shtëpinë e Bardhë për katër vitet e ardhshme. Tre shtetet e para, konsideroheshin si bastione demokrate deri në zgjedhjet e vitit 2016. Pensilvania që ka 20 vota është një nga shtetet më të lakmuara si nga Trump ashtu edhe Biden.

Tani për tani presidenti kryeson bindshëm në Pensilvani, ndërsa në shtetet e tjera gara është e ngushtë. Në Miçigan, shtet që ka 16 vota, Trump është përpara me 0.5% të votave por çdo gjë mund të ndryshojë në vijim duke qenë se kanë mbetur pa numëruar edhe 10% e votave.

Uiskonsin është shteti i tretë i rëndëishëm që ka mbetur në garë me 10 votat e tij. Këtu kryeson demokrati Biden, që mund t’i llogarisë së të tijat votat duke shkuar në 248 vota nga 270 që duhen për t’u shpallur president.

Në Karolinën e Veriut që ka 15 vota, Trump kryson me rreth 1.4% të votave po ka ende të tilla për t’u numëruar. Xheorxhia është një tjetër shtet me peshë duke qenë se ka 16 vota. Edhe këtu kryeson presidenti Trump me rreth 2% të votave por kjo nuk është përfundimtare. 3 votat e Alaskës mund t’i shtohen që tani Trump-it duke qenë se aty ai kryeson bindshëm.

Në Nevada që ka 6 vota, kryeson Biden me 0.6% të votave por ky shtet ka ndërprerë numërimin deri nesër pasi pret ardhjen e votave që kanë ardhur ditën e djeshme si dhe votat me postë që priten gjatë javës.

Në një deklaratë të bërë mëngjesin e sotëm, Trump, tha se i fitoi zgjedhjet dhe akuzoi demokratët se u përpoqën t’i rrëmbenin ato përmes ‘mashtrimit’, duke deklaruar se i drejtohet gjykatës për të ndalur numërimin e votave me postë që kanë ardhur me vonesë. Kampi i Biden u përgjigj duke thënë se qëllimet e deklaruara të presidentit ishin të pashembullta në historinë e SHBA-së.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *