Një autoritet turk ka vendosur një gjobë prej 10 milion lirash turke (1.18 milion dollarë) ndaj platformave të mediave sociale për mospunësimin e përfaqësuesve lokalë.
Platformat që përfshijnë Twitter, Facebook, Instagram, YouTube, Periscope dhe TikTok, të cilat janë aksesuar mbi 1 milion herë çdo ditë nga Turqia u gjobitën, sipas Autoritetit të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit (BTK).
Gjigantët e mediave sociale kanë zyra lokale në shumë vende globalisht, por kanë injoruar prej kohësh kërkesën e qeverisë turke për të punësuar një përfaqësues lokal.
Një ligj i ri për mediat sociale hyri në fuqi që nga 1 tetori dhe u dha një afat 30-ditor platformave sociale për të caktuar përfaqësuesit e tyre lokalë në Turqi. Afati përfundoi të hënën.
Sipas ligjit, nëse këto platforma nuk do të caktojnë një përfaqësues në periudhën e ardhshme të 30 ditëve, vendi do të vendosë një gjobë shtesë deri në 30 milionë lira turke (rreth 3.6 milionë dollarë).
Pas përfundimit të periudhës së parë 60-ditore, nëse platformat e mediave sociale do të vazhdojnë të neglizhojnë këtë ligj, vendi do të ndalojë reklamat nga kompanitë turke.
Tre muaj pas ndalimit të reklamave, autoritetet mund të zvogëlojnë bandën e internetit të këtyre platformave me 50% së pari, dhe 90% në hapin tjetër pas një muaji.
Nëse gjigantët e mediave sociale caktojnë përfaqësues lokalë, 75% e gjobës do të hiqet dhe ulja e gjerësisë së bandës do të marrë fund.