Pamjet e publikuara kanë konfirmuar se xhihadisti që vrau katër persona në Vjenë të hënën ishte i vetmi person i armatosur, por Inteligjenca Austriake ka kërkuar kuturu. Kështu ka deklaruar ministri i Brendshëm Karl Nehammer, sipas Reuters.
Austria arrestoi të martën 14 persona të moshës 18 deri në 28 vjeç në lidhje me sulmin dhe po i heton ata nën dyshimin se janë pjesë e një organizate terroriste. Por gjithashtu sipas ministrit, Austria do të duhet të hetojë veprimet e veta.
“Para se të fillonte sulmi terrorist, sipas informacionit që kemi aktualisht në dispozicion, disa gjëra shkuan gjithashtu keq.”– tha Nehammer në një konferencë shtypi, citon Reuters.
Në korrik, shërbimi inteligjent i Sllovakisë fqinje kishte dorëzuar informacione që sugjeronin se sulmuesi Kujtim Fejzulai kishte provuar dhe dështuar të blinte municione atje.
“Në hapat e ardhshëm padyshim që diçka nuk shkoi mirë me komunikimet.”- tha Nehammer, i cili bëri thirrje për formimin e një komisioni të pavarur për të shqyrtuar gabimet e bëra.
Pasi morën informacionin nga Sllovakia, agjencitë e brendshme të inteligjencës së Austrisë në nivelin federal dhe provincial bënë kontrollet e nevojshme dhe i dërguan pyetje përsëri Bratislavës.
“Është në dorën e komisionit për të sqaruar nëse procesi shkoi në mënyrë optimale dhe në përputhje me ligjin.”– tha Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Franz Ruf. Këshilli i Sigurimit Kombëtar i Austrisë nënshkroi krijimin e komisionit të mërkurën e 4 nëntorit.
Personi i armatosur, i cili u qëllua për vdekje nga policia brenda disa minutash nga sulmi, ishte një 20-vjeçar me shtetësi të dyfishtë. Ai kishte shtetësi austriake dhe të Maqedonisë së Veriut. Lindur dhe rritur në Vjenë, Fejzulai tashmë ishte dënuar për përpjekjen për të shkuar në Siri për t’u bashkuar me Shtetin Islamik dhe kishte kaluar pak kohë në burg.
Të gjithë të arrestuarit në Austri kanë një “sfond migrimi”, tha Nehammer. Shefi i policisë së Vjenës Gerhard Puerstl shtoi se disa ishin shtetas të Bangladeshit, Maqedonisë së Veriut, Turqisë ose Rusisë.