Kreu i PD-së, Basha, ka shkruar sot se lufta e UÇK-së, ishte e drejtë përballë agresionit e krimeve kundër njerëzimit të kryera nga regjimi kriminal i Sllobodan Millosheviçit.
Kryedemokrati ka reaguar pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, Thaçi e daljen e tij para Gjykatës Speciale bashkë me Kadri Veselin e Jakup Krasniqin.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik që regjimi kriminal i Millosheviçit po kryente ndaj popullsisë së pambrojtur në Kosovë. Anëtarët e UÇK-së, pjesëmarrës në këtë luftë të pabarabartë, janë përballur e kanë dalë faqebardhë ndaj akuzave të ndryshme që janë ngritur ndaj tyre. Të tjerë luftëtarë po përballen sot.
Jam i bindur se edhe ata, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza.” – shkruan Basha.
Ai shton më tej se viktima nuk mund të barazohet me agresorin dhe lufta e UÇK-së nuk mund të barazohet me masakrat dhe genocidin nga ana e Serbisë. Në fund Basha thekson se është i bindur që e vërteta do ngadhnjejë.
“Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës. Lufta e UÇK-së pati në krah të saj Aleancën e Atlantikut të Veriut me në krye SHBA, sepse ishte një luftë e drejtë. Shqiptarët patën në krah dhe mbrojtje të tyre të gjitha vendet demokratike të botës sepse ndaj tyre po kryeheshin krimet më çnjerëzore. Asnjë shqiptar i Kosovës nuk i është fshehur drejtësisë por është përballur dhe ka ngadhnjyer. Jam i bindur se edhe këtë herë e vërteta do të ngadhnjejë dhe se asgjë nuk do mund të përbaltë luftën e drejtë të UÇK për liri.” – mbyll Basha reagimin e tij.