Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar vendimin për një bllokim tre-javor në të gjithë Greqinë, në një përpjekje për ulur numrin e infeksioneveve që është në rritje.
Ky do të jetë bllokimi i dytë për Greqinë, që nga fillimi i pandemisë dhe do të fillojë të shtunën në mëngjes.
Ekathimerini shkruan se me vendimin e ri, të gjitha dyqanet me pakicë do të mbyllen dhe udhëtimet midis rajoneve do të ndalohen. Autoritetet do të rifutin në fuqi një sistem që i detyron qytetarët të dërgojnë mesazhe me tekst në një numër qeveritar për të marrë leje për të dalë nga shtëpia për të punuar, për të blerë, për të vizituar një mjek ose për të bërë stërvitje.
Shkollat e mesme do të mbyllen dhe mësimi do të bëhet në distancë ndërsa kopshtet dhe shkollat fillore do të qëndrojnë të hapura.
“Edhe një herë, unë vendos të marr masa më shpejt sesa më vonë.”– tha Mitsotakis në një fjalim televiziv drejtuar kombit, duke shtuar se ai ishte duke marrë parasysh këshillat nga komiteti i ekspertëve që këshillojnë qeverinë.
Mitsotakis thotë se rritja e rasteve të reja në pesë ditët e fundit e “detyron” atë të marrë masa tani, në vend që të presë për të parë nëse do të funksionojnë kufizimet e njoftuara kohët e fundit. Nëse qeveria pret dhe masat aktuale nuk funksionojnë, presioni mbi spitalet do të ishte “i padurueshëm”, shpjegoi ai.
Kryeministri tha gjithashtu se qeveria do të mbështesë financiarisht qytetarët të cilët do të preken nga bllokimi i ri, duke vënë në dukje se detajet e planit do të paraqiten nga ministri i Financave, Christos Staikouras më vonë gjatë ditës së sotme.