Është gati ligji për kompetencat e presidentit. Maxhoranca ka hartuar një draft të përbërë nga 45 nene, që sipas deputetit socialist Adnor Shameti zgjidh ngërçet artificiale. Sipas tij, ky ligj nuk i heq komptencat aktuale presidentit.
Në një prononcim për mediat deputeti i PS-së, deklaroi se pas depozitimit në Kuvend, për ligjin do të nisë dhe konsultimi.
“Grupi i punës ka përfunduar draftin për ligjin. Ndjesë për vonesën, por i dhamë dorën e fundit disa detajeve që ishin përcaktuar në ligjin organik. Hartimi i ligjit për funksionimin e institucionit të presidentit të Republikës ka qenë domosdoshmëri. E theksoj që është ligj organik pasi bëhet fjalë për një institucion kushtetues.
Ky ligj ka analizuar dhe elaboruar në detaje procedurën që institucioni i Presidencës duhet të ndjekin në ushtrimin e detyrës. Me këtë ligj marrin fund të gjitha problematikat artificiale, të lindura në vitet e shkuara dhe mos të lindin më, duke respektuar në kushtetutë dhe germën dhe mos të ketë ndikime.
Unë e përmenda dhe në fjalën time, s’behët fjalë për kufizime të kompetencave të presidentit. Është elaborimi i të drejtave të presidentit në kushtetutën e Republikës. Duket të kini parasysh që grupi i punës ka përfunduar draftin e dakordësuar të ligjit.
Ky draft i dakrodësuar dhe i përfunduar sot do t’i nënshtrohet procedurave parlamentare, duke nisur me depozitimin në Kuvend, e më pas do të nisë procesin e konsultimin. Do të jetë gjithëpërfshirës dhe më pas në Komisionin e Ligjeve që i nënshtrohet veprimtarive parlamentare”, -tha Shameti.
Grupi i punës që u mor me hartimin e këtij drafti, ishte i përbërë nga tre deputetët Vasilika Hysi, Adnor Shameti dhe Alban Zeneli.